
Sot në Shqipëri mbahen zgjedhjet lokale, nën hijen e përçarjeve më të mëdha politike në Shqipërinë pluraliste.
Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet vendore në vendin tonë.
Qytetarët do të votojnë në 5417 Qendra votimi për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive.
Zgjedhjet lokale sot zhvillohen në 61 bashki për këshillin dhe kryetarët në mbarë vendin, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi në 31 të tjera Partia Socialiste është e vetmja që ka kandidat. Mes 97 kandidatëve për kryebashkiakë, vetëm 10 janë zonja. 23 prej socialistëve janë rikandidime.
Në të gjithë vendin pritet të hapen 5417 Qendra votimi, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme KQZ njoftoi se, sipas Kodit Zgjedhor u shpërndanë materialet zgjedhore në 90 KZAZ. Të drejtën për të shkuar te kutia e votimit e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë. Ata do të vendosin shenjën e tyre në dy fletë votimi: për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive, si dhe parlamentet lokale, pra këshillat bashkiakë.
Në zgjedhje marrin pjesë gjithsej 36 parti. Ato janë të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane drejtuar nga PS dhe që përmban dhe 19 parti të tjera, Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi, ndërsa 9 parti garojnë jashtë koalicioneve.
Për herë të parë që nga pluralizmi, këto janë zgjedhjet ku në gjysmën prej bashkive nuk ka dy kandidatë në garë, për shkak se opozita, ku bëjnë pjesë shumica e partive të djathta (PD, PR, PDIU, PBDNJ, LZHK) dhe LSI nuk morën pjesë në zgjedhje, me pretendimin se ato nuk janë të lira e të ndershme, duke marrë shkas nga përgjimet e publikuara pak kohë më parë, që lidheshin me blerjen e votave në zgjedhjet lokale 2016 në Dibër dhe një vit më vonë në zgjedhjet e përgjithshme në Durrës.
Partia opozitare që garon për herë të parë është Bindja Demokratike e Astrit Patozit, që garon me kandidatë në 22 bashki të vendit.
Procesi i votimit do të mbyllet zyrtarisht në orën 19.
Ndërkohë në Shkodër dhe në Vaun e Dejës qendrat e votimit nuk janë hapur ende për shkak të mungesës së materialeve zgjedhore.



