Nada Dosti, gazetare në Turqi, bën me dije se vendi është goditur nga 77 zjarre në 24 orët e fundit. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Dosti theksoi që situata më e rëndë paraqitet në Izmir, ku janë djegur banesa dhe janë evakuuar lagje të zonës. Ajo bën me dije se 17 persona janë arrestuar pasi dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme.
“Në 24 orët e fundit Turqia është goditur nga 77 zjarre, nga të cilat 53 përfshijnë sipërfaqe pyjore. Situata më e rëndë paraqitet në Izmir, ku janë djegur banesa dhe dhjetëra lagje janë evakuuar. Tymrat janë bërë të dukshëm edhe nga ishujt grekë. Autoritetet kanë nisur hetimet për zjarrvënie të qëllimshme. Janë arrestuar 17 persona, përfshirë një të dyshuar në Izmir, që dyshohet të ketë përdorur benzinë. Ndërhyrjet kanë qenë nga ajri, toka. Ka më shumë dëme në zonat pyjore”.
“Fatmirësisht s’ka humbje jete për shkak të panikut. Ende s’ka përllogaritje të dëmeve. Besoj se është herët për raportime të dëmeve. Gjendja më kritike për momente është Izmiri, pasi ka kapur disa fshatra, lagje. Ende aktive janë tre vatra zjarri aktive. Qytetet përreth po ndihmojnë njëra-tjetrën, por nuk ka ndihma nga jashtë shtetit. Ka shumë pak informacione në vendet turke, dhe një nga arsyet mendoj unë është që të mos rrezikohet çështja e turizmit. Duket sikur Turqia po e mban nën kontroll përhapjen e lajmeve për të mos krijuar panik”.



