
Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Jashtme në Poloni, Piotr Krawczyk ka dhënë dorëheqjen këtë të enjte. Sipas mediave polake, zëdhënësi i ministrit-koordinator të shërbimeve sekrete, Stanisław Żaryn, informoi për dorëheqjen e Piotr Krawczyk, që sipas tij, arsyeja në këtë rast ishte personale.
Mediat vendase shkruajnë se Piotr Krawczyk duhej të jepte dorëheqjen për shkak të një rasti të lidhur me vdekjen e një tregtari armësh nga i cili qeveria polake bleu respiratorë.
Informacioni i parë jozyrtar për vdekjen e Andrzej I., u shfaq më 19 korrik . U bë me dije se për një burrë polak në Tiranë është lëshuar certifikata e vdekjes. Më pas u raportua se trupi i Andrzej I., nuk ishte transportuar ende në Poloni. Faktin e vdekjes e konfirmuam, direkt në Shqipëri dhe Europol.
Sipas gjetjeve të mediave, shërbimet polake nuk janë interesuar për Andrzej I. as para dhe as pas vdekjes së tij dhe nuk kanë kontaktuar me shërbimet në Tiranë për këtë çështje.
Rrethanat e vdekjes së Andrzej I., një tregtar armësh, i cili u urdhërua nga Ministria e Shëndetësisë të furnizonte me respiratorë gjatë pandemisë, ngrenë gjithnjë e më shumë dyshime. Në fund të fundit, nga 1200 pajisje të porositura, vetëm 200 u dorëzuan dhe ministria humbi rreth 50 milionë PLN. Pavarësisht se nuk e përmbushi kontratën, burri u largua nga vendi pa asnjë problem në fund të vitit 2020. Në mesin e korrikut u shfaq informacioni se ai vdiq papritur në Tiranë.



