Hotel Plazza në kryeqytet është një ndër bizneset që ka vendosur të shkurtojë pagat e punonjësve për shkak të vështirësive të krijuara nga pezullimi i aktivitetit si dhe të marrë kredi për të mbuluar shpenzimet në këtë periudhë. Aktualisht sipas drejtuese në hotel qëndron vetëm një shtetas italian, i cili ka mbetur i bllokuar për shkak të pezullimit të hyrje-daljeve në Shqipëri.
Behar Male, një prej aksionerëve të hotelit të njohur në kryeqytet, pranon për TvT se rret 300 punonjës që lidhen me hotelerinë dhe qendrën Wellnes do të pësojnë reduktim të pagave të paktën për një periudhë 6-mujore.
Së pari kemi marrë vendim që te Hotel Maritim Plaza dhe qendra Wellnes Nobis nuk do pushojmë asnjë nga puna për një periudhe 6-mujore. Do paguajmë afërsisht 70% të pagës që merrnin në situatë normale. Kemi aplikuar për kredi për pagat në kuadrin e programit të qeverisë, banka na ofron kredi edhe pa program, pasi ne i ofrojmë koleteral pronat tona.
Sipas Males, hoteli për momentin është i boshatisur dhe i vetmi që po merr shërbim është një shtetas italian i mbetur në Shqipëri pas mbylljes së kufijve.
Në hotel kemi vetëm një klient nga Italia, i cili ka rreth 45 ditë në hotel. Dëmet në fakt do jenë shumë të mëdha, por jo të papërballueshme. Së pari duhet kujdes për punonjësit, pasi në këta sektorë ku operojmë, ne do të na duhet shumë kohë për të rifilluar aktivitetin, në rastin më të mirë shpresojmë në shtator.
Male thotë se hoteleria dhe në veçanti sektori i turizmit ka marrë një goditje të madhe dhe se dalja nga kjo situatë kërkon angazhimin serioz të ekspertëve dhe qeverisë. Ajo që shqetëson hotelierët është mungesa e transparencës në vendimet që merren.
Duhen ekspertët më të mirë të ekonomisë. Duhet të mblidhen e të diskutojnë rrugët më të mira, për ta përballuar këtë situatë. Duhet shumë transparencë në gjithçka, edhe me ekspertët që duhet të merren me këtë punë. Këto gjëra e kalojnë përgjegjësinë e një ekipi, të një qeverie, prandaj duhet angazhim serioz, përndryshe pasojat do të jenë shumë të mëdha.
Edhe Shoqata e Turizmit ëshrtë shprehur me herët se pezullimi i aktivitetit do të krijojë kosto të mëdha për hotelerinë dhe sezonin e pritshëm turistik.



