Reshjet me intensitet të lartë që nisën pas mesnatës kanë përfshirë të gjithë vendin, të shoqëruara me shkarkime të forta atmosferike. Aktualisht, reshjet janë zbutur dhe strukturat vendore raportojnë se situata po stabilizohet gradualisht, megjithëse pasojat e motit të keq janë të dukshme.
Korrespondentet e “MCN Live”, Ervina Garo nga Durrësi, Entela Duka nga Elbasani dhe Arjola Hasanaj nga Vlora, raportojnë nga terreni për situatën e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut.
Durrës- Ervina Garo:
Reshjet e orëve të para të mëngjesit të së mërkurës kanë shkaktuar probleme në disa prej rrugëve të qytetit.
Në segmentet e lagjes nr. 18 është shënuar prani e madhe uji, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe të automjeteve.
Ndërkohë, situata më e rëndë është regjistruar një ditë më parë, ku uji ka depërtuar në banesa dhe prona në disa zona të Durrësit.
Më e dëmtuara rezulton Manza, ku janë raportuar 45 banesa me prezencë uji dhe sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore të përmbytura. Problematika është shënuar edhe në Ishëm, Katund të Ri dhe Sukth.
Vlorë- Arjola Hasanaj:
Reshjet intensive kanë krijuar një situatë të rënduar në Delvinë, ku rruga kryesore hyrëse drejt qytetit mbetet e bllokuar nga prurjet e mëdha të ujit. Përmbytjet kanë depërtuar në bizneset përgjatë rrugës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Katër zona rezultojnë të izoluara: zona e Vanës, lagjja “Gjermëhallë”, qendra e qytetit — ku bizneset janë nën ujë — dhe disa akse ku qarkullimi është i pamundur.
Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 4.5 metra, duke iu afruar kuotës kritike prej 6 metrash. Banorët janë njoftuar për rrezikun e shtuar të përmbytjeve dhe autoritetet po punojnë në terren për ndërhyrje emergjente dhe mbrojtje të zonave të rrezikuara.
Elbasan- Entela Duka:
Qarku i Elbasanit që prej ditës së djeshme është përfshirë nga reshje me intensitet të ulët deri mesatar, të cilat gjatë natës kanë arritur deri në 24 mm.
Strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, raportojnë rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore. Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë janë regjistruar rënie gurësh dhe rrëzim pemësh në dy raste.
Në aksin Elbasan–Peqin ka pasur dalje aluvionesh, ndërsa në segmentet Elbasan–Gjinar (Derstile) dhe Gramsh–Moglicë (Bersnik) janë shënuar rënie inertesh dhe rrëshqitje të tokës.
Falë ndërhyrjes së firmave kontraktuese, të gjitha akset janë të hapura për qarkullim.
Në qytetin e Elbasanit është raportuar prani e madhe uji, por pa shkaktuar probleme serioze në trafik. Ndërkaq, reshjet kanë sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe stakime për arsye sigurie në zonat malore të: Orenjë, Linikë dhe Polis (Librazhd), Stravaj dhe Qukës (Prrenjas), Fideri i Banjës (Gramsh), Labinot Fushë (Elbasan).
Ekipet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit normal.



