
Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin "Te Paekspozuarit", theksoi se elita politike në Shqipëri ka tentuar të poshtërojë drejtësinë, duke e cilësuar krizën e demokracisë si krizën e hetimit. Ai theksoi se kur kapërcehet kriza e hetimit, kthehemi aty ku nuk ka drejtësi. Zogaj shtoi se politikanët veprojnë si të ndryshëm, por janë të njëjtë kur bëhet fjalë për çështje kyçe që prekin pavarësinë e drejtësisë.
Ai gjithashtu përmendi filtrat e detajuar për ata që administrojnë drejtësinë dhe sulmet që Rama ka nisur ndaj sistemit të drejtësisë. Zogaj e cilësoi këtë si një betejë për ruajtjen e pavarësisë së sistemit dhe theksoi se drejtësia nuk mund të bëhet me gjuhën e politikës.
“Elita politike në Shqipëri, jo tani, edhe përpara demokracisë, ka pasur një tendencë për ta poshtëruar drejtësinë. Dhe gjithë kriza e demokracisë sonë ka qenë, siç kemi thënë disa herë, kriza e hetimit. Ata e dinë shumë mirë që nëse kapërcehet kriza e hetimit, që po kapërcehet, atëherë kthehemi prapë aty ku kemi qenë. Nuk ka drejtësi, sepse është hetimi që furnizon gjykatën.
Të gjithë bëjnë sikur janë të ndryshëm, por në fakt janë të njëjtë. Ky është një sulm i vazhdueshëm i elitës politike, që kur vjen momenti për çështje kyçe që kanë të bëjnë me respektimin e pavarësisë së drejtësisë, bëhen njësoj. Ata janë me drejtësinë kur nuk u flet, por kur drejtësia fillon akuzat, menjëherë e përfshijnë sistemin e sulmeve.
Ka një problem që nuk mund të neglizhohet: ata që janë të ngarkuar me administrimin e drejtësisë janë të kontrolluar dhe kalojnë një filtrat të detajuar. Në Shqipëri, sistemet e filtrimit janë ngritur për të kontrolluar ata që administrojnë drejtësinë, duke kaluar vetingun dhe duke kontrolluar pasuritë dhe integritetin.
Rama ka filluar sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, duke e përshkruar atë si një mjet të politizuar. Ky është një moment kyç, sepse, në fund, kush janë ata që po dëmtojnë këtë sistem?
Nëse ata e kanë ngritur sistemin, si mund ta shkatërrojnë tani? Ky është një moment sfidues dhe një betejë për të ruajtur integritetin dhe pavarësinë e drejtësisë.
Drejtësia nuk mund të bëhet me gjuhën e politikës. Atje duhet të jetë një respekt i fortë për rregullat dhe përkushtimi ndaj punës së secilit: mbrojtja, prokuroria, gjykatësit, secili duhet të bëjë punën e tij. Fjalët e politikanëve nuk mund të ndikojnë në drejtësi.”



