Izraeli ka kryer sulme të shumta ajrore në Liban pasi disa raketa u hodhën nga Libani në Izrael, në atë që po konsiderohet si përshkallëzimi më i lartë i dhunës qysh nga hyrja në fuqi e armëpushimit në nëntor.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur dhjetëra raketahedhës dhe një qendër komanduese që i përkisnin Hezbollahut, milicisë dhe grupit politik të mbështetur nga Irani, në Libanin jugor.
Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se tre persona, përfshirë një fëmijë, u vranë dhe tetë u plagosën në sulmet.
Disa grupe të armatosura veprojnë në Liban, duke përfshirë Hezbollahun dhe fraksionet palestineze, dhe askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Hezbollahu, i cili është më i fuqishmi prej tyre, tha se nuk kishte asnjë përfshirje në sulm dhe se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit.
Zhvillimet ushtrojnë presion mbi një armëpushim të brishtë, të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Franca, që i dha fund më shumë se një viti konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Sulmet e së shtunës erdhën disa ditë pasi Izraeli përforcoi ofensivën e tij kundër Hamasit, një aleat i Hezbollahut, në Gaza.
Ushtria izraelite tha se kishte interceptuar tre raketa në qytetin verior izraelit të Metula herët të shtunën dhe nuk kishte raportime për viktima.



