
Kina po përpiqet të afrohet me Bashkimin Europian për të krijuar një front të përbashkët kundër SHBA-ve në Organizatën Botërore të Tregtisë. Në përpjekje për ta kthyer BE-në në aleate, zyrtarë të lartë kinezë po u ofrojnë vendeve europiane akses në tregun kinez, nëse ata mbajnë anën e Pekinit në përballjen e afërt, raporton “Reuters”, duke iu referuar disa diplomatëve europianë.
Zyrtarët më të lartë të Kinës, zv.kryeministri Liu He dhe këshilltari i shtetit për diplomacinë, Wang Yi, kanë zhvilluar një sërë takimesh në Bruksel, Berlin dhe Pekin, në përpjekje për të arritur një aleancë mes dy fuqive ekonomike.
Një nga propozimet e kinezëve është që vendi i tyre dhe BE-ja të bashkojnë forcat në OBT kundër SHBA-ve. Duke parë marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe aleatëve europianë, të cilat u tendosën pas tarifave që Trump vendosi mbi importin e çelikut dhe aluminit, kinezët duket se kanë zgjedhur momentin më të përshtatshëm.
"Trump e ka ndarë Perëndimin dhe Kina po kërkon të përfitojë nga kjo. Nuk ndihej kurrë rehat me Perëndimin të bashkuar në një bllok", i tha agjencisë “Reuters” një diplomat evropian, ndërsa një tjetër e quajti sjelljen e Trump-it ndaj Kanadasë në G7 “një dhuratë për Kinën”.
Megjithatë, pesë diplomatë me të cilët “Reuters” ka biseduar në lidhje me këtë temë, janë shprehur se pavarësisht nga ankesat që ka BE-ja ndaj Uashingtonit, krerët e Unionit e kanë refuzuar propozimin.
"Kina dëshiron që Bashkimi Evropian të vendoset në krah të Pekinit kundër Uashingtonit, pra të marrë anë", tha një diplomat, duke shtuar se BE-ja ia ka bërë të qartë Pekinit se nuk do të pranojë marrëveshje.
Duket se këto tratativa kanë qenë një mënyrë e Kinës për të testuar terrenin pak para Samitit të Sipërmarrësve, që është parashikuar të mbahet në Pekin më 16-17 korrik. Duke parë se këto përpjekje nuk kanë çuar gjëkund, edhe në samit nuk parashikohet ndonjë përparim, thonë zyrtarët europianë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



