#MeToo/ Rasti i Francës dhe beteja gjinore që nuk ka fitues

#MeToo/ Rasti i Francës dhe beteja gjinore që nuk ka fitues

Nebojsha Maliç

Njeriu, rasti i të cilit lançoi lëvizjen #MeToo të Francës, do të dëmshpërblehet për shpifje, por kjo është një fitore si ajo e Pirros, në rastin më të mirë, pasi festohet mbi gërmadhat e normave kulturore dhe praktikave ligjore që lëvizja i ka shkatërruar.

Gazetarja Sandra Muller nisi #balancetonporc ("ekspozo derrin (ngacmuesin) tënd") në tetor 2017, duke akuzuar direkt  drejtuesin e një televizioni, Eric Brion, si autori i disa komenteve të paturpshme ndaj saj në një festë. Brion, i cili pranoi se komentet ishin një gabim dhe kërkoi falje për to, më vonë e paditi gazetaren Muller për shpifje, me pretendimin se postimi i saj i ka shkatërruar reputacionin dhe jetën.

Një gjykatë franceze në fillim të kësaj jave e detyroi gazetaren Muller t’i paguajë Brionit 20 000 € dhe të fshijë postimin ofendues, duke vendosur në vend të tij një shpjegim.

Rasti i gazetares Muller erdhi në vijim të fushatës "Me Too" në SHBA, e cila arriti kulmin me akuzat ndaj një prej emrave të më mëdhenj të Hollivudit, Harvey Weinstein, i akuzuar nga një numër i madh femrash për abuzime që nisnin nga ngacmimet seksuale dhe komentet e papërshtatshme deri te sulmet dhe përdhunimet. Weinstein përfundimisht u arrestua dhe akuzat ndaj tij janë ende në shqyrtim nga drejtësia.

Pra, çfarë lloj “përbindëshi” ishte Brioni, që të vendosej në të njëjtën kategori? Sipas gazetares Muller, ai u përpoq të flirtonte me të në një festë koktejli duke i thënë: "Ke gjoks të madh. Je pikërisht ashtu siç më pëlqejnë mua femrat. Do të të bëj të përjetosh orgazma tërë natën”. Më vonë, ai i kërkoi falje përmes një mesazhi në telefon.

"Unë bëra komente të papërshtatshme për Sandra Muller gjatë një feste me alkool në orë të vona, por kjo ka ndodhur vetëm një herë", tha Brioni para gjykatës. “Ajo më pëlqeu. Dhe ia thashë këtë në një mënyrë ndoshta të tepruar. Po kjo ndodhi vetëm një herë, duhet ta theksoj. Unë nuk dua ta shfajësoj veten time nga kjo. E ritheksoj që kërkoj falje".

Avokatët e Brionit argumentuan se ai kishte "të drejtën për të flirtuar" dhe se jeta e tij nuk duhej të ishte shkatërruar për shkak të një "makinerie të pandalshme" të hedhur në sulm nga mesazhet e gazetares Muller.

Në janar të vitit 2018, mbi 100 gra të njohura franceze botuan një letër të hapur në gazetën “Le Monde”, ku lëvizja MeToo konsiderohej si gjueti shtrigash në emër të një "puritanizmi", që nuk u vjen në ndihmë femrave, por "armiqve të lirisë seksuale - ekstremistëve fetarë dhe llojit më të keq të reaksionarëve. "

"Burrat janë ndëshkuar në mënyrë të shpejtë, janë detyruar të lënë detyrën, në një kohë kur ajo që kanë bërë ishte se thjesht i kanë prekur gjurin dikujt ose janë përpjekur të marrin një puthje", thuhej në letër. Një nga firmëtaret e letrës ishte aktorja Catherine Deneuve, e cila kontribuoi në legalizmin e abortit në Francën e viteve ’70, kur pranoi për herë të parë se e kishte bërë vetë një të tillë të paligjshëm.

Kolegia e saj më e re në moshë, modelja Laetitia Casta, iu bashkua disa ditë më vonë, duke thënë se "armiqësia dhe urrejtja ndaj burrave nuk do t'i bëjë gjërat të shkojnë përpara".

Duket se gjykatat franceze janë pajtuar me këtë sentiment, duke vendosur në favor të Brionit. Edhe duke marrë të mirëqenë faktin se ky vendim nuk do të rrëzohet në apel, prapë se prapë ai nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse një fitore si ajo e Pirros për ish-ekzekutivin e TV-së. Nëse vërtet ai nuk ka mundur të gjejë punë që atëherë, pasi dëmet nuk janë të barabarta me të ardhurat e humbura, ekziston mundësia që punëdhënësit e ardhshëm të hezitojnë me frikën se do të gjykohen e përndiqen nga aktivistët e të drejtave sociale. Pavarësisht kësaj, turmat në mediat sociale nuk e vrasin fort mendjen për faktet që përcakton gjykata.

Në anën tjetër të Atlantikut, nocionet e procesit të duhur dhe prezumimi i pafajësisë u mbytën menjëherë nga zhurma që krijoi #MeToo. Shembulli i profilit më të lartë të kësaj ishte përpjekja për të penguar konfirmimin e gjyqtarit Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme të SHBA, sërish në shtator 2018. Kohët e fundit, tenori legjendar i operës, Placido Domingo, e gjeti veten "të paftuar" në eventet në SHBA, për shkak të pretendimeve me natyrë si ato të MeToo, të bëra në media, madje as në gjykatë.

Praktika e shprehjes së ankesave të dikujt në publik përpara se kjo të bëhet nëpërmjet procesit të duhur, madje ka marrë edhe jetë njerëzish. Një programues kanadez vidolojërash, me emrin Alex Holowka, kreu vetëvrasje muajin e kaluar, pasi aktivistja Zoe Quinn e akuzoi atë në Twitter për përdhunim dhe abuzim, që pretendohet se kanë ndodhur vite më parë. Mesazhet e saj në Twitter në kohën kur pretendohet se ka ndodhur abuzimi binin në kundërshtim me rrëfimin e vetë denoncueses, por deri në kohën kur u nis të shyrtohej e gjithë kjo, Holowka vrau veten.

Quinn u tërhoq pak kohë më parë nga Twitter-i, pastaj u kthye sikur asgjë nuk kishte ndodhur dhe vijoi të shijonte adhurimin e fansave të saj.

Ajo që mund të ketë filluar si një rebelim legjitim kundër një prej më të pushtetshmëve të Hollivudit është shndërruar në një armë shkatërrimi në masë në luftën e kulturave, duke i kthyer burrat dhe gratë në armiq, duke u thënë të frikësohen dhe të dyshojnë në çdo veprim të njëri-tjetrit – një proces shkatërrimi i normave kulturore dhe ligjore të hartuara me përpikmëri në shekuj për të siguruar drejtësi për të gjithë. / RT / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy