Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim bashkëreporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, të cilët po zhvillojnë një vizitë faktmbledhëse në Tiranë.
Nishani tha se e vlerëson rolin e Këshillit të Evropës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë si shtyllat bazë të misionit të tij, si dhe kontributin e këtij institucioni për përparimin e Shqipërisë në këto fusha.
Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Presidenti Nishani vuri në dukje shqetësimin mbi rrezikun që i kanoset institucionit të votës së lirë dhe penetrimit, sipas tij, gjithnjë e më të hapur të krimit në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve.
“Presidenti Nishani theksoi se ky është një rrezik eminent që i kanoset demokracisë shqiptare, i cili duhet adresuar pa humbur kohë dhe në mënyrë të prerë nga të gjithë aktorët, përfshirë asistencën nga partnerët ndërkombëtarë” – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga presidenca.



