Një burrë i dënuar për 159 vepra penale seksuale, përfshirë ndër to edhe 136 përdhunime, "kurrë nuk do të jetë i sigurt për t'u liruar", është shprehur gjykatësi që shqyrtoi çështjen.
Reynhard Sinaga u shpall fajtor për joshjen e 48 burrave nga jashtë klubeve të Mançesterit (Manchester) të Anglisë në banesën e tij, ku i drogoi dhe i dhunoi ata, duke filmuar gjithçka.
Policia thotë se ka prova që Sinaga, 36 vjeç ka sulmuar një numër edhe më të madh, viktimash, të paktën 190 viktima në një hark kohor mes 2005-2017.
Gjykatësi vendosi që dënimi i tij i përjetshëm duhet të përfshijë një minimum prej 30 vjet burg.
Në katër gjykime të ndara, shtetasi indonezian u shpall fajtor për 136 akuza për përdhunim, tetë akuza për përdhunim në tentativë, 14 akuza për sulm seksual dhe një akuzë sulmi, kundër gjithsej 48 viktimave.
Ai i drogoi viktimat e tij para se t'i sulmonte ata ndërsa ishin pa vetëdije. Kur viktimat u zgjuan, shumë prej tyre nuk mbanin mend çfarë kishte ndodhur.
Studenti, i cili mohoi akuzat, pretendonte se e gjithë aktiviteti seksual ishte konsensual dhe se secili njeri kishte pranuar të filmohej ndërsa pretendonte të ishte në gjumë.
Sinaga kishte përdorur një formë të drogës për përdhunim, GHB.
Përdhunuesi u kap në qershor të vitit 2017 kur një viktimë, i cili rimori vetëdijen teksa po sulmohej, luftoi Sinagën dhe duke u larguar mori telefonin e tij e thirri policinë.
Kur oficerët hapën telefonin e Sinagës ata zbuluan se ai kishte filmuar secilin prej sulmeve të tij - që arrinin në qindra orë filmime.
Zbulimi çoi në fillimin e hetimit më të madh për përdhunim në historinë britanike.
Hetuesit gjurmuan dhjetëra viktima nga videot e realizuara prej tij, duke përdorur të dhëna të gjetura në banesën e Sinagës, si telefona të vjedhur, karta identiteti dhe orë.
Viktimat e Sinagës ishin më së shumti heteroseksualë. /BBC/



