
Përmes një dekreti institucional të nënshkruar sot, Presidenti i Republikës ka caktuar të dielën e 9 majit 2027 si datën zyrtare ku qytetarët shqiptarë do t'u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj të bashkive dhe këshillave bashkiakë.
Sipas kuadrit ligjor në fuqi, kjo datë përfshihet brenda dritares kushtetuese të pranverës, e cila saktëson katër të diela midis 15 prillit dhe 15 majit.
Përpara marrjes së këtij vendimi, Presidenti thirri në tryezë të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve. Megjithatë, procesi u karakterizua nga një pjesëmarrje e pjesëshme.
Thirrjes së kreut të shtetit iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate, si dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Subjektet e tjera politike, përfshirë kampin opozitar zgjodhën t’i qëndrojnë larg konsultave institucionale dhe nuk shprehën asnjë parapëlqim publik apo zyrtar për datën.
Propozimi për datën 9 maj 2027 erdhi fillimisht si sugjerim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Organi menaxhues i zgjedhjeve argumentoi se kjo datë, e cila përbën të dielën e fundit brenda afatit ligjor u jep strukturave të KQZ-së më shumë kohë në dispozicion për të përmbushur të gjitha masat zbatuese dhe logjistike të procesit.
Kjo përzgjedhje u mbështet edhe nga Partia Socialdemokrate.
Data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës i dha forcë juridike datës 9 maj 2027.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik; palët të zhvillojnë një proces konkurrues të drejtë, të përkushtuar e luajal, të respektojnë me vetëdije të spikatur kuadrin ligjor dhe barazinë e armëve, si dhe të bashkëpunojnë pa rezerva me KQZ-në për zhvillimin e një procesi shembullor dhe në përputhje me standardet më të larta për një shoqëri demokratike.




