
Gjermania tha se ekstremizmi i krahut të djathtë dhe antisemitizmi ishin një rrezik i madh në shoqërinë, pasi ndaloi të enjten grupin neo-nazist “Combat 18”.
Ministri i Brendshëm i vendit përmendi si provë të shtënat e vitit të kaluar në një sinagogë Halle dhe vrasjen e Walter Lübcke.
"Ndalimi i sotëm është një mesazh i qartë: Ekstremizmi i krahut të djathtë dhe antisemitizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë", tha Horst Seehofer.
Seehofer tha se grupi ishte përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e muzikës dhe koncerteve ekstremiste të djathtë.
“Combat 18” u themelua në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të viteve ‘90 nga anëtarët e Partisë Kombëtare Britanike të ekstremit të djathtë dhe shumë shpejt u përhap në vendet e tjera përfshirë Gjermaninë. Emrin e tij e merr nga inicialet e diktatorit nazist Adolf Hitler, përkatësisht shkronja e parë dhe e tetë e alfabetit.
Më shumë se 200 oficerë policie kryen bastisje herët në mëngjes në gjashtë shtete federale gjatë të cilave ata morën telefonat, laptopët, armët, sendet naziste dhe materialin propagandistik. / Euronews/



