Ka përfunduar sot tryeza e Këshillit Politik. Në këtë takim, u pranua sugjerimi i opozitës për shkurtimin e periudhës zgjedhore nga 3 muaj në 1 të vetëm. Gjithashtu është arritur dakordësi edhe për periudhën e votimit. Shqiptarët do të votojnë nga 15 prill-15 maj dhe nga 15 tetori – 15 nëntor.

Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka zbardhur detaje nga takimi. Ai u shpreh, se palët ranë dakord për financimin miks, nga qeveria dhe donacionet. Më tej ai shtoi se u gjet konsensusi edhe për zvogëlimin e periudhës zgjedhore, në datat 15 prill-15 maj, ose 15 tetor- 15 nëntor.
“Ramë dakord për zvogëlimin e periudhës zgjedhore, përkatësisht në datat 15 prill-15 maj, ose 15 tetor- 15 nëntor. Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mirë. Pjesëmarrja sa më e lartë në zgjedhje do të jetë një gjë shumë e mirë. Ramë dakord edhe për parimin ekuotës gjinore, që një në tre emra të jetë nga gjinia femërore, të shoqëruar dhe me sanksionet përkatëse. Nisur nga ky parim duhet të shihet si të eliminohen disa shqetësime. Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm. Qeveria ka marrë përsipër të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore. Kapitulli i financimit të fushatës ka marrë dakordësim. Vendosëm që mbledhjen e ardhshme ta kemi ditën e enjte, ku do të trajtojmë disa çështje të tjera. Këto ishin rezultatet e kësaj mbledhjeje dhe jam i kënaqur se kemi bërë disa hapa”, u shpreh Gjiknuri.

Përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi u shpreh se palët më në fund kanë arritur dakordësinë për tre cështje të rëndësishme për reformën zgjedhore.
"Sot patëm mbledhjen e radhës, pas asaj ndërprerje brutale që shkaktuan veprimet e Ramës për të nxjerrë nga binarët procesin. Diskutuam periudhën zgjedhore, kuotën dhe financimet. U arrit dakordësia që periudha zgjedhore të jenë, 15 prill- 15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor e dyta, që do i mundojnë presidentit datën e zgjedhjeve pa kufizime në këto periudha.
U jepet mundësia zgjedhësve që të marrin pjesë në numër më të lartë, duke gjykuar se shumë largohen për periudha sezonale, por i largohemi edhe periudhave të nxehta dhe të ftohta. Arritëm në dakordësi për shumë elementë për financimin e partive, ekspertët do të gjejnë zgjidhjen përfundimtare me një formulë mikse. Synimi ynë ka qenë reduktimi i financimit privat që të pastrohet politika nga ndikime të paligjshme që vijnë dhe penetrojnë në fushatë. Pati debat për cështje të ndryshme, por jemi në rrugën e përmbylljes paketave" tha ai.

Me tone të forta ka folur deputetja e opozitës së re në kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari, pas dakordësisë së arritur sot mes palëve në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore.
Sipas saj, cështjet për të cilat u ra dakord janë fare të parëndësishme, ndërkohë që me ndryshimin e kohës për mbajtjen e zgjedhjeve, sipas saj, u mbyllet dera diasporës dhe gjithë emigrantëve të vijnë në periudhën e verës për votime.
Hajdari tha se ashtu si edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe ligji për referendumet, janë të rëndësishme për t’i dhënë më shumë fuqi qytetarëve shqiptarë si dhe për të forcuar demokracinë në vend.
Ajo i bëri thirrje Bashës të pranojë këto dy propozime, duke e ironizuar se “sa herë has vështirësi, shkon në krahët e Ramës”.
“Përvec propozimit të kahershëm që opozita parlamentare ka shtruar për ndryshimin e sistemit zgjedhor, sot propozuam ligjin për referendumet, ligj që i jep fuqi qytetarit që të kishte më shumë vendimmarrje, nëse do e kishim këtë sot nuk do kishim një teatër të shkatërruar, por në këmbë. I bëj thirrje Bashës dhe PD që të mbështesin këto dy propozime se këto aspirojnë për një Shqipëri demokratike, i bëj thirrje se nuk duhet të rikthehet në krahët e Ramës,këto janë dy zgjedhjet e tij, o do mbështese këto dy propozime, sepse jo vetëm që mbështetet nga aktivistë, cdo demokrat, qytetarë të thjeshtë, ne duhet të ecim para dhe të mos kthehemi prapa dhe Basha e ka veti sa herë që ka vështirësi shkon të krahët e Ramës, këtë radhë mos e bëni, mos i zhgënjeni demokratët nuk është koha e pazareve dhe marrëveshjeve”- tha ajo.



