Janë gjetur mbetjet e avionit me 28 persona në bord i cili humbi kontaktin me radio me ekipet tokësore ditën e djeshme.
Sipas mediave të huaja avioni “Antonov An-26” që mbante 22 pasagjerë dhe 6 ekuipazh kishte qënë në zbritje në fshatin Palana të martën rreth orës 3 pasdite kur papritmas humbi kontaktet me kullën.
Ekipet e shpëtimit thanë se avioni është përplasur në shkëmbinjtë rreth 10 milje në jug të aeroportit.
Mendohet se avioni goditi shkëmbinjtë pas një reje të ulët dhe fatkeqësisht asnjëri nga personat nuk ka arritur të mbijetojë.

Një pjesë e stabilizuesit të avionit u gjet në majë të shkëmbit, njoftoi media ruse, ndërsa pjesët e bishtit të tij u gjetën në shkëmbinjtë që bien poshtë në Detin e Okhotsk.
Pjesë të tjera të avionit u gjetën duke notuar në oqean duke përfshirë fenerin e radios së avionit, e cila është ajo që ekipet detare gjurmuan për të gjetur vendin e rrëzimit.

Disa zyrtarë të lartë nga fshati Palana thanë se në bord kanë qënë dhe kryebashkiakia Olga Mokhireva, 42 vjeçe, shefi i departamentit të mobilizimit Aleksandër Andreikin dhe gruan e tij Olga Andreikina, e cila drejton departamentin e financave.
Një hetim mbi rrëzimin është duke u zhvilluar, ndërsa hetuesit thonë se avioni 39-vjeçar kishte një certifikatë të vlefshmërisë ajrore dhe kaloi kontrollet para fluturimit kur u ngrit nga aeroporti Petropavlovsk-Kamchatsky dy orë para rrëzimit.

Pilotët nuk kishin raportuar ndonjë defekt gjatë fluturimit.
Aleksey Khrabrov, kreu i Ndërmarrjes së Aviacionit Kamchatka, konfirmoi se rrënojat ishin gjetur por nuk dha më shumë detaje.



