
Emri i Maqedonisë është diskutuar së fundmi mes liderve politikë të Shkupit. Propozimet kanë ardhur nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç. Nga ana e tij, kryeministri Zoran Zaev u shpreh optimist për arritjen e një kompromisi kombëtar, por gjithashtu bëri thirrje për kujdes apo përmbajtje nga komentet, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i bisedimeve.
Ky proces kërkon përgjegjësi politike me qëllim të ndërtimit të konsensusit nacional në Republikën e Maqedonisë. Me zgjidhjen e kontestit bilateral që zgjat 25 vjet kemi për qëllim që të sigurojmë përparim në rrugën tonë drejtë integrimit në NATO dhe BE.
Edhe Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, nuk dha detaje nga bisedimet e kreut shtetëror dhe politik, por tha se përvoja politike e bën që të jetë realist. Nga partitë politike shqiptare, në takim mori pjesë vetëm kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e vlerësoi atë si më të frytshmin të mbajtur deri më tani për çështjen e emrit.
Bisedimet pasuan takimin e kryeministrave Zorav Zaev dhe Aleksis Tsipras në Davos, ku u theksua përkushtimi për zgjidhjen e problemit 25-vjeçar.



