
Humb jetën nga koronavirusi gazetari i njohur Artjan Tepelena. Gazetari dhe drejtor programacioni është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune në moshën 58-vjeçare.
Artjan Tepelena prej ditësh ishte i shtruar në një nga spitalet Covid në kryeqytet, por nuk ka mundur që të fitojë betejën me sëmundjen.
Miq dhe të afërm të gazetarit kanë shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale. Edhe vëllai i tij ka shkruar fjalët më të ndjera.
Dikur kur isha i vogël, nuk kishte lumturi më të madhe për mua se kur të shihja që më merrje nga kopshti...Vite më pas, nuk kishte moment më të bukur se sa kur më prisje në aeroport...Sot, më pret aty ku edhe në ëndrrën më të keqe nuk do ta kisha duruar...Vëllai im i madh, idhulli im, gjaku im, familja ime, krenaria ime, dhimbja ime me e madhe - Artjan Tepelena, për të gjithë miqtë e njerëzit që të kanë njohur, të kanë dashur, te kanë respektuar...U prehsh në paqe!
Edhe Presidenti Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të gazetarit Artjan Tepelena duke theksuar se do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë.
Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të mirënjohur Artjan Tepelena, i cili humbi sot betejën me COVID-19. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe komunitetit të gazetarëve! Me kontributin e tij të gjatë dhe të pazëvendësueshëm në media, Artjan Tepelena do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër konformizmit në profesion. Të prehet në paqe.



