
Besjana Guri, eksperte burimesh ujore tha se hidroenergjia nuk është dhe nuk duhet parë si e vetmja alternativë apo dhe si alternativa më e mirë pasi ka ndikim të pakthyeshëm në mjedis.
Sipas Gurit, Shqipëria varet vetëm nga hidroenergjia duke shtuar se kjo gjë duhet të ndryshojë pasi po mbishfrytëzohen burimet ujore.
Shqipëria me të vërtetë ka pasuri të mëdha ujore, por nga ana tjetër ka dhe potenciale të tjera sa i përket prodhimit të energjisë. Hidroenergjia nuk është dhe nuk duhet parë si e vetmja alternativë apo dhe si alternativa më e mirë. Edhe pse është energji e rinovueshme nuk është energji e pastër pasi ka ndikim të pakthyeshëm në mjedis kur vjen puna tek lumenjtë, dhe aq më tepër tek ato që kanë mbetur të paprekur.
Mund të quhen investime por kanë një impakt të madh mjedisor gjithashtu dhe social.
Shqipëria 90 e ca për qind varet vetëm nga hidroenergjia dhe kjo duhet të ndryshojë. Nuk mund të mbi shfrytëzojmë të gjitha burimet tona ujore për hir të energjisë, sa kohë ka alternativa të tjera siç është dielli apo era, dhe për sa kohë sistemi ka nevojë për përmirësime se ne dimë shumë mirë që një pjesë e mirë e energjisë humbet në rrjet, atëherë le të riparojmë dhe pas të mendojmë për t’i mbishfrytëzuar burimet tona.



