
Opozita do të vijojë edh sot bojkotin e seancave parlamentare.
Deputetët e PD-së dhe LSI-së nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme.
Gjatë mbledhjes, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, tha se ideja për vetingun në politikë ka gjetur mbështetje te qytetarët. Basha akuzoi qeverinë “Rama” se po përpiqet ta pengojë një nismë të tillë, duke e motivuar me ndërhyrjen në reformën e drejtësisë.
“Do t’ia shkurtojmë ditët qeverisë “Rama”. Ai nuk e do vetingun në politikë, sepse vetingu në politikë ka për qëllim largimin e politikanëve të lidhur me krimin. Ka lançuar një fushatë false me gënjeshtra. Ju them qytetarëve se ne e kemi ndier mbështetjen tuaj. Kam marrë mijëra mesazhe mbështetjeje dhe ju them se vetingu në politikë do të bëhet. Të gjithë të lidhurit me krimin do marrin atë që meritojnë. Vetingu në politikë nuk e pengon hetimin nga drejtësia, prandaj t’i hedhim poshtë mashtrimet e Ramës”, tha Basha.
Grupi parlamentar demokrat vendosi pak ditë më parë që mbledhja e radhës të zhvillohet në Durrës.
Më herët opozita është mbledhur në qytetin e Shkodrës dhe të Elbasanit, në të njëjtin orar të zhvillimi të seancës parlamentare.



