
Një konvergjencë reale ekonomike është e domosdoshme për kohezionin e eurozonës. Kështu është shprehur presidenti në largim i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi, të martën në mbrëmje, gjatë një takimi në Akademinë e Athinës.
Draghi është shprehur se mbetet thelbësore nevoja që politikat e duhura kombëtare dhe evropiane të zbatohen me rigorozitet për të ndihmuar vendet e prekura nga kriza e fundit, si Greqia.
Draghi mbrojti politikën e BQE-së për normat e interesit negativ dhe lehtësimin sasior dhe, duke iu drejtuar kritikëve të këtyre politikave, argumentoi se rezistenca e eurozonës pas shumë vitesh krize dëshmoi se pikërisht këta kritikë e kishin gabim.
Duke iu referuar përfundimeve të nxjerra nga kriza e fundit, kreu i BQE u bëri thirrje politikanëve që të nxjerrin mësime nga e kaluara, të studiojnë përvojat e të tjerëve dhe të shmangin rreziqet e parashikueshme për publikun duke ndryshuar politikat e tyre sot.
Ai tha se bashkimi monetar lindi "i papërfunduar" dhe brenda një dekade u përball me një krizë që pakkush mund ta parashikonte. "Ishte e kuptueshme që nuk ishte gati", tha ai, duke shtuar megjithatë se ne tani e dimë se çfarë është e nevojshme për të vendosur stabilitetin në të gjitha vendet, dhe çfarë vihet në diskutim nëse politikëbërësit veprojnë shumë ngadalë për të stabilizuar Bashkimin në tërësi. / Kathimerini /



