Partia Demokratike synon të rikthejë debatin për ndarjen territorial. Një ditë më parë, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, tha se reforma territoriale e miratuar vetëm me votat e maxhorancës tre vjet më parë, kishte për synim të maksimizonte votën për Partinë Socialiste.
Tabaku tha se ndarja e re territoriale u kushton më shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë.
“Bashkitë u ndanë thjesht për llogari elektorale. Në qoftë se themi se reforma territoriale do të kursejë 80 mln dollarë, sot sipas Ministrisë së Financave, reforma territoriale shpenzon 60 mln dollarë më shumë se ç’shpenzonte para vitit 2014”, tha Tabaku.
Reforma, thotë tabaku ka dështuar dhe në dhënien e shërbimeve për qytetarët. Territoret sipas saj janë të pamenaxhueshme dhe ndarja nuk është shoqëruar me decentralizim.
Sipas Tabakut “Nuk ofrojnë asnjë lloj shërbimi, nuk kanë asnjë buxhet, por paguajnë paga dhe kanë një nivel qeverisje që është i kotë”.
Reforma është e cungët thotë Tabaku, ndërsa sipas saj dështimi ka detyruar qeverinë të mendojë për krijimin e disa rajoneve në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“ Po shumëzojnë me zero Kushtetutën dhe po krijojnë këto mekanizma që në fund të ditës do të luajnë funksionin e qarkut, do të mbledhin funksionet e Arsimit, Bujqësisë, etj pa e ndryshuar Kushtetutën. Së pari, është antikushtetuese dhe së dyti, nuk ka për të funksionuar. Që kjo reformë territoriale të kishte disa rezultate të pritshme, duhej që ne të kishim ndjekur një rrugë tjetër dhe të mos shihnim interesin elektoral”, tha ajo.



