Që prej orës 7 të mëngjesit të kësaj të diele, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës iu janë drejtuar kutive të votimit për të shkarkuar apo jo kryetarët e komunave.
Gazetari Venhar Isufi përmes një lidhje “Skype” për MCN nga komuna e Zveçanit, bëri me dije se në këtë komunë nuk ka shkuar të votojë asnjë qytetar i komunitet serb.
Teksa bëri me dije se edhe në 3 komunat e tjera raportohet një numër i vogël votuesish, Isufi tha se kjo vjen për shkak se Beogradi u ka kërkuar komuniteteve serbe në 4 komunat të bojkotojnë procesin e votimit.
“Në Zveçan para pak çastesh është mbyllur procesi i votimit, që nga mëngjesi e deri në mbyllje nuk ka dalë asnjë qytetar nga komuniteti serb për të votuar.
Gjithashtu edhe në 3 komunat e tjera është mbyllur qendra dhe tashmë është duke u bërë numërimi i votave. Në komunën e Zveçanit nuk është asnjë votë dhe për 3 komunat e tjera do të presim rezultatet, por edhe në këto të 3 votimi ka qenë i vogël.
Ende nuk e kemi një numërim përfundimtar të votave, por besoj se mund të jenë 250 vota në të 4 komunat.
Për shkak dhe të numrit të vogël të votuesve, ky proces ka qenë i qetë dhe nuk ka patur asnjë incident. Është faktike në të gjitha komunat nuk ka patur incidente. Ka patur mbikëqyrje dhe nga përfaqësues të ambasadave sepse e dimë që lista serbe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit.
Ndërkohë rezultatet priten të dalin pas një orë, ose një orë e gjysme sepse nuk ka patur votues. Pritet që dhe në komunat e tjera të përfundojë shumë shpejtë procesi i numërimit”.



