Ambasadori i BE në Shqipëri Silvio Gonzato në fjalën e mbajtur në konferencën “Cilësia e drejtësisë”, theksoi se duhen më shumë magjistratë në sistem, me qëllim për të reduktuar stokun e çështjeve me të cilën përballet drejtësia shqiptare. Po ashtu ai vuri në dukje se duhen integruar parimet e së drejtës së BE në vendimmarrjen gjyqësore, duke shtuar se në të ardhmen e afërt qytetarë të BE mund të duan të krijojnë biznese në Shqipëri, apo të blejnë mallra e shërbime në vendin tonë.
“Drejtësia dhe dhënia efikase e drejtësisë është një prioritet kyç i mandatit tim. Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe e di se kjo është e vështirë të prodhojë cilësi. Na duhen më shumë gjyqtarë, më shumë prokurorë, të mbështetur i mjaftueshëm këshilltarët ligjorë dhe asistentë. Nuk ka kohë për të humbur kjo është e qartë.
Pritet që të dy këshillat të kryejnë një vlerësim të detajuar të numrit të këshilltarëve dhe të gjyqtarëve që duhet të pranojë Shkolla e Magjistraturës, duke marrë parasysh nevojën për të reduktuar këtë stok çështjesh, për të promovuar specializim më të madh të gjyqtarëve, për të krijuar hapësirë për më shumë delegime, kjo është vendimtare.
Ekziston një element kyç që duhet të merret parasysh në këto diskutime, duke marrë parasysh faktin që Shqipëria dëshiron të bëhet shtet anëtar i BE-së dhe ka patur ecuri në këtë drejtim, dhe kjo çështje ka të bëjë me integrimin e parimeve të së drejtës së BE në vendimmarrjet gjyqësore.
Në të ardhmen e afërt, qytetarët e BE mund të duan të krijojnë biznese në Shqipëri, të konsumojnë produkte të prodhuara në Shqipëri, të blejnë tokë, mallra apo shërbime në Shqipëri. Ju duhet të jeni të familjarizuar me rregullat e tregut të brendshëm të BE, me standardet e BE për mbrojtjen e konsumatorëve, me parimet e lëvizjes së lirë të personave, mallrave, kapitaleve, shërbimeve. Kjo përbën një sfidë”.



