Sotiraq Dhamo, kreu i Institutit të Kontabilistëve të Merituar tha përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se ligji për taksimin e profesioneve të lira i cili ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti nuk sjell barazi dhe për më tepër sjell pengesa në biznes.
Duke vijuar më tej, Dhamo tha se kontabilistët dhe audituesit e kanë të paqartë se si do të realizohet tatimi mbi pagat.
Ky ligj nuk sjell barazi. Ky ligj bën barazim formal. Barazon të ardhurat nga paga me të ardhurat nga biznesi. Nuk e përcakton fakti nëse është pagë apo e ardhur nga biznesi që je individ, i vetëpunësuar apo një shoqëri. E përbën aktiviteti faktin nëse është biznes apo jo biznes.
Për kontabilistët e miratuar, për audituesit që ushtrojnë profesionin si të vetëpunësuar, ne shohim që kjo është çështje që sjell një pengesë dhe vështirësi në zbatim dhe pengesë në biznesin tonë.
Është pengesë se tatohet biznesi i shërbimeve të kontabilitetit apo auditimit me një mënyrë të padrejtë. Nuk mund të tatohet të ardhurat e një kontabilisti që ka nj ë sërë shpenzimesh dhe risqesh, dhe tatohet sikur të ishte punë dhe nuk i zbritet asnjë shpenzim. Flas për ata kontabilistë që do të kenë të ardhurat kryesore nga një apo dy klientë.
E dyta, e bën të vështirë zbatimin. Ne kundërshtojmë ligjin në disa pjesë të tij që janë të rëndësishme. Ligji ka disa rregullime që janë pazbatueshme. Ne kemi paqartësi si do të realizohet tatimi mbi pagat.
Patjetër që kemi adresuar shqetësimet. E kemi adresuar këtë problem që kur ligji ishte në konsultim publik. E kemi bërë me shkresë tek Ministria e Financave e kemi paraqitur dhe në komision dhe përveç disa gjërave të vogla thelbi nuk është marrë në konsideratë.
Sipas Dhamos, administrata tatimore nuk është gati për të zbatuar një pjesë të mirë të këtij ligji.
Ligji ka probleme zbatimi. Administrata tatimore nuk është gati për të zbatuar një pjesë të mirë të këtij ligji, sidomos këto që lidhen me profesionet me shërbime personale. Ne këtë duam të evidentojmë, mirë që hyn, por si do të zbatohet.
Unë them që ligji dekurajon jo vetëm profesionistët e lirë. Nëse do të zbatohet në këtë mënyrë, nëse nuk bëhet një barazim me të gjithë tatimpaguesit në Shqipëri, nëse nuk stimulohet qëndrimi i trurit në Shqipëri, jo vetëm profesionistët që mund të kërkojnë të largohen por mungon edhe stimuli për të rinjtë për të hyrë në karrierë profesionale.



