
Sulmet e shpeshta të migrenës nuk janë aspak të pafajshme dhe mund të ndikojnë në aftësitë njohëse të pacientëve, nënvizon një studim i fundit.
Sipas një studimi të ri, migrena mund ta vërë trurin në rrezik të menjëhershëm.
Më konkretisht funksioni njohës dhe përdorimi i gjuhës ndikohen nga dhimbja e kokës, siç zbulohet nga një përmbledhje sistematike dhe meta-analizë e botuar në Journal of Headache and Pain.
Të drejtuar nga Lihua Gu, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Juglindor në Nanjing, Kinë, ekipi studiues bëri një rishikim sistematik të literaturës për të identifikuar studimet që krahasonin funksionin njohës midis të sëmurëve nga migrena dhe atyre që nuk vuajnë nga migrena.
Studiuesit u fokusuan në analizimin e 22 studimeve që përfshinin 3295 pacientë me migrenë dhe arritën në përfundimin se këta individë kishin funksionim më të ulët të përgjithshëm njohës dhe gjuhësor në krahasim me individët e shëndetshëm. Megjithatë, nuk janë vërejtur ndryshime që ndikojnë në perceptimin hapësinor, përqendrimin, funksionin ekzekutiv ose kujtesën.
Rezultoi se kishte një lidhje të rëndësishme midis migrenës dhe rrezikut të zhvillimit të demencës.
Për shkak të lidhjes ndërmjet migrenës dhe dëmtimit të funksioneve njohëse, neurologët duhet të jenë vigjilentë dhe të ndërhyjnë në mënyrë efektive në gjendjen e pacientëve me faktorë të lartë rreziku për dëmtimin e funksioneve njohëse për ta parandaluar atë.



