
Kryeministri Boris Johnson, deklaron se Britania e Madhe do të ndërmarrë sanksione të menjëhershme ndaj Rusisë.
“Vladimir Putin është i prirur për një pushtim të plotë të Ukrainës. Kam frikë se të gjitha gjasat janë se Putin është me të vërtetë i vendosur për një pushtim të plotë të Ukrainës, tejkalimin, nënshtrimin e një vendi të pavarur, sovran europian dhe mendoj që duhet të jemi absolutisht të qartë, se kjo do të jetë katastrofike. Mbretëria e Bashkuar do të vendosë një paketë të menjëhershme sanksionesh ndërkombëtare ndaj Rusisë”, u shpreh Johnson.
Deklarata e tij u bë mëngjesin e sotëm, teksa mblodhi komitetin teknik të emergjencave, Cobra.
Ai sqaroi se këto sanksione do të përfshijnë interesat ekonomike ruse dhe do të godasin të gjitha ato interesa ekonomike që kanë mbështetur makinerinë e luftës ruse.
Johnson deklaroi gjithashtu se Britania e Madhe, do të punojë për të garantuar që Putin të dështojë.



