Moti i keq i shoqëruar me reshje intensive shiu kanë krijuar probleme edhe në qarkun e Mirditës. Korrespondenti Juli Simoni në një raportim për Mcn Live bën me dije se është shembur aksi rrugor që lidh fshatin Thirrë me Rrugën e Kombit, duke izoluar një pjesë të banorëve.
“Rreshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në Mirditë, në njësinë administrative të Fanit. Bëhet me dije se ka shembje të aksit rrugor që lidh fshatin Thirrë me Rrugën e Kombit në afërsi të tunelit, duke izoluar një pjesë të banorëve të zonës, për shkak të gërryerjeve të përroit, çka ka dëmtuar trasenë e rrugës. Janë shembur edhe dy ura në zonë, një që lidh varrezat e fshatit, por probleme raportohen edhe në fshatin Domgjon. Sot situate është nën kontroll. Janë ndërprerë reshjet e shiut, madje kemi kohë me diell, çka po u jep mundësi strukturave për të rikuperuar dëmet dhe për të bërë ndërhyrje. Edhe në zonën fushore të Lezhës ku ka ndërprerje të energjisë elektrike, është përqendruar vëmendja, për rikthimin në normalitet".



