
Vetëm pak ditë më parë, Bashkimi Europian deklaroi se po monitoron AKSHI-n dhe kërkoi që Shqipëria të hartojë një ligj të ri për sigurinë kibernetike, pasi kjo do të ndikojë edhe në procesin e integrimit të vendit në BE.
E ftuar në studion e “MCN informacion”, inxhinierja elektronike Kejsi Voskopi tha se ligji është në përputhje me rregulloret e Bashkimit Europian.
Ligji që ka dalë pak muaj më parë është në përputhje me atë që synon dhe përcakton GDPR.
Ai përcakton qartë se si duhet të funksionojnë të gjitha shtetet europiane dhe vendet aspirante, si Shqipëria.
Sa i përket ligjit të shkruar në letër, ai është në përputhje të drejtpërdrejtë me atë që kërkon BE-ja, qoftë për gjobat, në rastet kur një biznes apo institucion nuk garanton mbrojtjen e të dhënave të klientëve, ashtu siç parashikohet, apo edhe për masat që merren në rast të një sulmi kibernetik.
Ndërkohë, Mateo Doda, inxhinier softueri, tha se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në fushën e sigurisë kibernetike dhe se sfida më e madhe mbetet zbatimi i ligjit.
Shqipëria po punon drejt këtij ligji, pasi BE-ja ka sugjeruar disa përmirësime mbi mënyrën se si mbikëqyren të dhënat dhe si përdoren sistemet.
Në Shqipëri, databazat shpesh shihen vetëm si mjete administrative, ndërkohë që duhet të trajtohen si sisteme sensitive që ruajnë të dhënat personale të përdoruesve.
Pra, në Shqipëri, pjesa e sigurisë kibernetike është ende në zhvillim dhe kjo është arsyeja pse po punohet më shumë për t’iu afruar standardeve të BE-së.
‘Kleçka’ në Shqipëri nuk qëndron te protokollet që përdoren, por te mënyra e zbatimit.
Nuk është ligji ai që garanton automatikisht sigurinë, por mënyra se si ai do të zbatohet në praktikë.
Zbatimi është pjesa më e vështirë dhe mbetet për t’u parë se si do të menaxhohen dhe mbrohen realisht të dhënat.



