
Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, se në Kosovë, sipas saj ka zyrtarë shtetërorë "që vërtet kanë dalë prej malit”, duke konsideruar se secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe ndarëse, është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara.
Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve” dhe se status-quoja nuk është mundësi.
Ndërkohë Deklarata e kryeministres serbe, Ana Bernabic se kosovarët janë “njerëz që vinë nga mali”, ka rezultuar me një fushatë masive të shqiptarëve nëpër rrjetet sociale
#PeopleFromthewoods dhe #literallyjustemergedfromthewoods janë dy hashtags që janë duke u përdorur në rrjetet sociale për deklaratën e kryeministres së Serbisë, Anna Bernabiç, e cila kishte thënë se me Kosovën ka të bëjë “me njerëzit që vijnë nga mali”.

Kësaj fushate tashmë i janë bashkuar edhe shumë gazetarë derisa janë duke u bërë tag edhe njerëz të njohur të Kosovës, me famë ndërkombëtare si Rita Ora, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi, Kosovare Asllani, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, etj.



