
Nuk ka qenë thjesht qëndrimi skeptik ndaj euros dhe Bashkimit Europian arsyeja pse presidenti italian Sergio Mattarella refuzoi emrin e Paolo Savonës në postin e ministrit të Ekonomisë.
I ashtuquajturi “plani B”, bashkautor i të cilit është Savona, mund të ketë ndikuar në vendimin për t’i thënë jo propozimit të kryeministrit të mandatuar, Giuseppe Conte.
Cili është plani B? I prezantuar në një konventë të Link University Campus në Romë në tetor 2015, ky dokument mund të konsiderohet dekalogu i antieuropeistëve. Ai është një strategji se si Italia duhet të dalë nga eurozona.
“Plani B” shihet si një “alternativë e politikës ekonomike”, që nuk duhet të çojë domosdoshmërisht në Italexit, por do ta çonte vendin në “epokë të re të sovranitetit ekonomik”.
Autorët thonë se BE bazohet qartësisht në modelin gjerman, që e ka dobësuar Italinë. Dokumenti parashikon ndryshime kolosale në sistemin bankar, duke u rikthyer në modelin e vitit 1981.



