
Gjykata e Posaçme e Apelit nuk i dha sot një përgjigje SPAK lidhur me kërkesën e saj për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë që i hoqi mundësinë rinisjes së një hetimi për ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, akuzuar nga familjarët e tragjedisë së Gërdecit si përgjegjës kryesor për shpërthimin e 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona.
Avokati Dorjan Matlija që ka ndjekur këtë çështje që në fillesat e saj në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV deklaroi se bëhet fjalë për një shtyrje kohore prej 7 ditësh të cilën nuk e sheh aspak shqetësuese ndërsa the4kson se me rëndësi mbetet marrja e një vendimi të saktë.
Në fakt vendimi i gjykatës është dhënë në dhomë këshillimi edhe ne e kemi njohur nga mediat, bëhet fjalë për një shtyrje kohore prej 7 ditësh që Mediu të njihet me atë që po ndodh. Kjo është edhe në interesin tonë sepse nuk duam një vendim të cënueshëm. Një gjë do shtoja ka lidhje me ankimin e familjarëve sepse nuk është vetëm SPAK, por edhe familjarët kërkues. Kështu që kemi dy palë kundër vendimit të palës së parë, por mos të harrojmë se kjo është një çështje tepër e koklavitur dhe për këtë arsye se shoh shqetësuese faktin e shtyrjes, e rëndësishme mbetet marrja e një vendimi të saktë. Nëse kjo nuk ndodh beteja është ende në instancat e ulëta dhe do shpresonim që vendimi të ishte pozitiv.
I pyetur pse kjo dosje u zgjua nga SPAK pikërisht tani, 13 vite pas tragjedisë, çfarë e pengonte akuzën të hetonte ish-ministrin për veprën e shpërdorimit të detyrës, avokati u shpreh se për këtë duhet të përgjigjen dy ish-prokurorët Ina Rama dhe Adriatik Llalla pse nuk e kanë hetuar çështjen.
Së pari do thoja se nuk i takon gjykatës së Shkallës së parë të vlerësojë nëse kanë kaluar afatet apo jo. Në rastin konkret ajo që mund të jetë parashkruar përsëri është thjesht shpërdorimi i detyrës por mos të harrojmë se dosja është shumë voluminoze. Përpjekja e familjarëve kanë qenë dhe përpara pa rreshtur, janë bërë gjykime kundër këtyre vendime, por prokuroria nuk ka pasur vullnet ta çojë çështjen në gjykatë. Ndërsa tani SPAK pranoi ndryshe nga prokuroritë e mëparshme, dhe nisi tani sepse është hera e parë pas reformës në drejtësi u duket serioze kërkesa e familjarëve. Dy ish-prokurorët e atëhershëm, Ina Rama dhe Adriatik Llalla duhet të përgjigjen pse nuk e kanë hetuar çështjen. Ne besojmë se kemi të drejtë bazuar në vendime të gjykatave kuptohet se dhe kjo instancë është e përdorshme në rastin më ekstrem. Ne do shfrytëzojmë të gjitha mundësitë juridike.



