Pse Van Gogu ra në dashuri me lulediellin?

Pse Van Gogu ra në dashuri me lulediellin?

Tess Thackara / Artsy

Në fund të vitit 1887, ndërsa përpiqej në rrugën e artit, Vincent van Gogh ia kishte dalë të varte dhjetëra piktura në muret e Grand Bouillon-Restaurant du Chalet në Paris. Mbi tavolinat e gjata ku parisienët me të ardhura të ulëta konsumonin një meny të thjeshtë, qëndronin si dekor veprat e Van Gogh-ut, si edhe ato të Henri de Toulouse-Lautrec, Emile Bernard dhe artistë të tjerë avangardë për kohën. Në një mjedis të tillë, pikturat e Van Gogh-ut do të qëndronin pak. (Sipas Bernard, Van Gogh pati një grindje me pronarin dhe përfundimisht i ngarkoi pikturat e tij në një karrocë dore dhe u largua.)

Por ky ekspozim i kishte tërhequr vëmendjen një piktori. Kur Paul Gauguin shkoi për t’i parë punët e Van Gogh-ut, syri i mbeti te disa nga spikturat e tij në vaj, në mënyrë të veçantë te lulet e diellit, farat e tyre si të kadifenjta, kurorat dhe petalet në ngjyrë të zbehtë si flakë që vallëzonin. Ai kërkoi dy prej këtyre pikturave dhe Van Gogh pranoi në këmbim të një pikture të kolegut të tij simbolist.

Nienke Bakker, kuratore e një ekspozite të re në Muzeun e Van Gogh-ut, kushtuar luleve të diellit që mbajnë firmën e tij, beson se interesi i Gauguin në fillimet e artistit të ri për këtë temë mund ta ketë përforcuar atë si fokus me kalimin e viteve. Ai do të prodhonte gjithsej 11 vepra me luledielli, disa prej të cilave kishin për qëllim t’i bënin përshtypje Gauguin-it dhe zbukuroi dhomën e tij në Shtëpinë e Verdhë në Arles, ku të dy artistët kaluan dy muaj së bashku në vjeshtën e vitit 1888. (Në të vërtetë, Gauguin më vonë kërkoi një nga veprat e Shtëpisë së Verdhë: pikturën e famshme të lulediellit në vazo.)

Megjithatë, ishin karakteristikat dhe karakteri i veçantë i lulediellit që e tërhoqën Van Gogh-un. "Ngjyra e tyre e gjallë i pëlqente atij, por gjithashtu edhe forma", thotë Bakker. "Luledielli është një bimë e fortë. Nuk është elegante dhe e rafinuar. Ai e quante atë 'luledielli fshatare'. Ajo ka vrazhdësinë dhe mungesën e rafinimit që ka fshati i vërtetë, dhe këtë gjë mesa duket, Van Gogh-u e ndjeu fort."

Kur Van Gogh-u pati një periudhë veçanërisht të errët në jetën e tij, ai kaloi ca kohë në azil. Gjatë qëndrimit të tij në spital, ai ëndërronte për fshatrat e Holandës, ku kaloi fëmijërinë. Siç vëren Bakker në katalogun e ekspozitës, Van Gogh i zbuloi vëllait të tij Theo se gjatë kohës kur kishte qenë sëmurë, në mendje i ishin endur shpesh shtëpia dhe kopshtin në Zundert. Më parë, ai e kishte pikturuar këtë përfytyrim, si një foto në të cilën nëna dhe motra e tij shfaqeshin në mes të një kopshti të mbushur me lule, me stë cilave shumë dahlia dhe luledielli.

Më vonë, ai imagjinoi bashkimin e portretit që i kishte bërë Madame Roulin-it, të quajtur La Berceuse (1888-89), me dy piktura me luledielli. Piktura, një portret i gruas së një shoku, e vendos gruan të ulur para një sfondi të mrekullueshëm me lule. Van Gogh e imagjinonte Madame Roulinin të rrethuar nga dy piktura të lulediellit për të formuar një triptik - Virgjëresha Mari, e rrethuar nga buqeta me ngjyra të gjalla.

Luledielli, që Van Gogh e kishte parë dikur si element dekorativ, ishte bërë pothuajse e shenjtë, një simbol që përfaqësonte vetveten, ideali i një jete të ndershme të jetuar në natyrë. Poeti dhe kritiku simbolist Gabriel-Albert Aurier pohon se luledielli i Van Gogh-ut përmcjell një ide të fuqishme. Në një shkrim në "Mercure de France", ai përshkruan "pasionin obsesiv të artistit për diskun diellor, të cilin ai e pëlqen të shkëlqejë në qiellin e tij dhe, në të njëjtën kohë, një diell tjetër, atë yll bimor, lulediellin madhështor, të cilin ai e pikturon pa pushim, pa u lodhur". Van Gogh u përgjigj se lulet e verdha vërtet përfaqësonin një ide: mirënjohjen.

Pikturat e tij, siç i shkruante motrës në vitin 1890, ishin "pothuajse një britmë ankthi, ndërsa simbolizonin mirënjohjen në lulediellin e thjeshtë", një imazh që i solli ngushëllim dhe familjaritet dhe që siç mund të imagjinohet, kishte një shkëlqim të caktuar jetësor dhe një formë që mund t’i qetësonte shpirtin në kohëra të trazuara.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy