Në një deklaratë për mediat, Gazment Bardhi e ka konsideruar kufizimin e lirisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha një shkelje të rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të fortë mbi SPAK.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar prej fillimit Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK. Shqiptarët janë dëshmitarë të përpjekjeve dhe betejës tonë për të siguruar një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të pakapur nga pushteti. Kjo për faktin se jo thjesht drejtësia, por drejtësia e pandikuar nga politika dhe influenca të papërshtatshme, është kusht themelor për luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe kulturës pandëshkueshmërisë. Personalisht mbështes pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit. Në një vend demokratik duhet të ketë zero imunitet për parlamentarët. Mirëpo, Kushtetuta e Shqipërisë në rastin e të zgjedhurve ka ofruar disa garanci shtesë, që duhet të sigurohen pa asnjë përjashtim. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet një masë sigurimi që kufizon lirinë në çfarëdo lloj forme, prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kuvendi.
Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj z. Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK. Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor.
Pesonalisht do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend, si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të vecantë në raport me secilin prej votuesve tanë. Ky eshtë edhe një dallim nga Grupi Parlamentar i PS që në të shkuarën kur interesi politik ja ka dashur ka penguar Prokurorinë të veprojë. Mirëpo, nëse shkelja dhe nxitimi i SPAK për të mos respektuar procedurën e detyrueshme të kërkuar nga Kushtetuta në këtë rast ka patur si qëllim të krijojë perceptimin e rremë të zhvendosjes së betejës së opozitës nga një betejë kundër regjimit të Edi Ramës, në një “betejë” me drejtësinë, dua të sigurojë që ky skenarë do të dështojë! Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë”.



