
Kryeministri Edi Rama deklaroi se kancelari gjerman Olaf Scholz nuk është mosmbështetës ndaj Ballkanit të Hapur, pavarësisht nëse shprehet publikisht apo jo.
Kurrësesi nuk do të thoja që Shcholz është mosmbështetës i Ballkanit të Hapur. Për më tepër që procesi i Ballkanit të Hapur ka lindur për shkak se Procesi i Berlinit filloi të humbiste impaktin, dhe për shkak se çfarë u vendos në Procesin e Berlinit nuk u implementua kurrë. Nuk shoh ndonjë problem. Sa i përket atyre në Tiranë që janë kundër, aq më pak problem. Më intereson çfarë mendon shumica e shqiptarëve që përmes Këshillimit Kombëtar janë shprehur pro në shumicë”.
Gazetarja e MCN TV Greta Bullari e pyeti kryeministrin sa i takon referimit që bëri ish-ambasadori Donald Lu mbi emrin e Aqif Rakipit dhe komentet e Metës, që u shpreh se arrestuarit për inceneratorët kanë pasur mbrojtje politike.
Rama shmangu komentet duke u shprehur:
Nuk e kuptoj pse lodheni të bëni këto pyetje kur jemi në Berlin. Jam këtu me ju për arsyen pse keni ardhur këtu. Këto janë pyetje që i takojnë katundit tonë të përbashkët, kur të jemi në katund do t’i diskutojmë në klubin e katundit të përbashkët.
Lidhur me njohjen e patentave nga Gjermania, kryeministri tha:
"Njohja e patentave nga Gjermania është një lloj certifikate e rëndësishme për shtetndërtimin dhe shtetfunksionimin”.



