Parandalohet një ngjarje kriminale në Durrës duke vënë në pranga tre persona të cilët për motive të dobëta, kanosën me armë zjarri një 44-vjeçar.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Durrës, kanë shkuar në zonë, dhe si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, si dhe i punës së organizuar, kanë arrestuar në flagrancë autorët e rastit.
Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Intervention”, janë vënë në pranga shtetasit Ylli Murati, 40 vjeç, Bajram Roçi, 30 vjeç dhe Bekim Cerka, 30 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur me armë zjarri, një shtetas 44 vjeç.
Nga kontrolli në automjetin e blinduar të 40-vjeçarit u gjeten dy armë zjarri kallashnikov dhe pistoletë.
Më tej, nga kontrolli fizik ndaj këtij shtetasi, u konstatua se mbante dhe një radio të lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës.
Në vijim të operacionit “Intervention”, nga kontrolli në banesën e babait të shtetasit të arrestuar Bajram Roçi, u gjet një armë zjarri pistoletë.



