
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, dhe ai i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i prezantuan qarkut të Kukësit paketën e negociuar me kompaninë koncesionare për skemën lehtësues për taksën në Rrugën e Kombit.
Skema lehtësuese përfshin banorët e Qarkut të Kukësit, mjetet e transportit publik dhe përdoruesit e shpeshtë.
Ajo do të nisë të zbatohet në përfundim të sezonit turistik, një kërkesë kjo e bizneseve (kryesisht atyre të Kosovës).
“Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim riskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë. Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në shtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës. Nga 17 shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”, tha ministri Gjiknuri.
PAKETA LEHTESUESE PARASHIKON:
Tarifimi i automjeteve të banorëve të Qarkut të Kukësit
Tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës;
Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime;
Përdoruesit e Qarkut Kukës do të parablejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar;
Kjo skemë tarifore do të aplikohet për klasën e automjeteve A dhe B për përdorim vetjak, të regjistruara në Qarkun Kukës;
Për automjetet e cilësuara më lart, të regjistruara në Qarkun e Kukësit, do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës;
Tarifimi i autobusëve të linjës
Janë identifikuar 11 Linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit;
Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale;
Këto mjete do të kenë tarifë Kalimi prej 100 lekë me T.V.SH për 1 kalim;
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova):
Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;
Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit për këtë paketë lehtësuese:
Shteti shqiptar duhet të paguajë koncesionarit në 30 vitet e kontratës 48.5 milion Euro si rezultat i zbatimit të këtyre tarifave të reduktuara për banorët e Qarkut Kukës, mjetet e transportit publik në këtë zonë dhe përdoruesit e shpeshtë.



