Deputetja e PD-së së Rithemelimit Sorina Koti tha në MCN Live që ndërkombëtarët kanë kërkuar nga opozita që të negociojë dhe të diskutojë me PS-në, për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Kuvend dhe Komisionet Parlamentare. Megjithatë Koti thekson se PD-ja e ka kërkuar bashkëpunimin, por sipas saj është PS-ja që nuk tërhiqet. Koti shton se e njëjta situatë kaotike do të vazhdojë në Kuvend derisa ndërkombëtarët të ndërhyjnë, të cilët sipas saj janë më të interesuar për stabilitetin se sa për demokracinë.
Është një situatë kaotike, ka gati një vit që jemi në protestë. Kemi nga shtatori deri më sot që jemi në protestë të vazhdueshme, sepse çdo gjë në Shqipëri po e humb legjitimitetin, po e humb demokracinë, po humbet fjalën e lirë. Pavarësisht rregullores që është miratuar vetëm nga PS për masat e marra ndaj deputetëve të opozitës, kjo duket se po thellohet nga radha në radhë, jo vetëm ndaj nesh, por edhe gazetarëve, ku është penguar edhe media që të hyjë në sallën e komisionit. Është një situatë kaotike që ne po punojmë fort për ta zgjidhur. Kemi kryer shumë takime me ndërkombëtarët për të ndërhyrë në këtë çështje, pasi nuk është vetëm çështje e jona. Por do marrë kohë dhe kjo s’do të na dëmtojë vetëm ne si opozitë, si politikbërës, por do dëmtoj gjithë Shqipërinë. Ndërhyrjen e ndërkombëtarëve e kemi kërkuar duke sqaruar situatën, që PD s’është në bojkot të Parlamentit, por jemi në protestë për shkak të mosfunksionimit të tij. E kemi kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve që PS dhe kryetarja e Parlamentit të marrë parasysh vendimet e grupit parlamentar. Çdo shkresë që shkon në emër të Gazment Bardhit duhet të merret parasysh nga kryetarja e Parlamentit. Kjo është e paprecedentë, që PS nuk pranon kë kemi kryetar grupi parlamentar. Na është kërkuar bashkëpunim dhe negocim. Por të mos harrojmë që kjo është në dorë të PD-së dhe kryetares së Kuvendit. Është kërkuar bashkëpunimi, negocimi dhe diskutimi me PS për të zgjidhur ngërçin. Por të mos harrojmë që ne po e kërkojmë këtë gjë dhe s’ka asnjë lloj tërheqje nga PS. Shumë shpejt do bëjmë kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore, duke qenë se ligji i ri është miratuar nga PS, dhe më pas do ta kthejmë në diçka institucionale, që do të thotë që PD dorëzon materiale dhe do të vazhdojmë në të njëjtën situatë, derisa në një moment të caktuar jam e bindur që faktori ndërkombëtar do të ndërhyjë, sepse atyre u intereson stabiliteti dhe jo demokracia. Ndoshta do të gjendet një gjuhë e përbashkët. Do jetë e detyruar PS të tërhiqet në pikat që kemi kërkuar”.
Koti tha se PD po riorganizohet, duke shtuar se deputetët kanë kryer takime të vazhdueshme në terren.
Deputetja shtoi se PD nuk ka se si të propozojë një draft për Reformën Zgjedhore, për sa kohë nuk pranohet të jetë pjesë e komisionit.
Organizimi i protestave poshtë shtëpisë së Berishës, nuk është vetëm një mesazh që ne po kërkojmë drejtësi për kryetarin tonë, po kërkojmë drejtësi për gjithçka që po ndodh në këtë vend. PD ka qenë gjithmonë në organizim e sipër, edhe për shkak të dinamikave të brendshme në këto 2 vite e gjysmë. Në këto momente që flasim po merremi me riorganizimin e partisë dhe strukturave. Zyrtarisht kemi disa pjesë burokratike që duhen zgjidhur me Parlamentin. Deputetët kanë qenë në terren, kanë qenë në zonën e tij, çdo javë duke kryer takime. Z. Bardhi është kryetari i grupit parlamentar dhe z.Berisha është kryetari i PD. Pastaj reforma zgjedhore do na përkufizojë modelin si do hyjmë në zgjedhjet e 2025. Ky kod që është tashmë, ne na penalizon shumë. Jam në dijeni që gjithë aleatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, tashmë janë të atashuar pranë PD-së, madje edhe mbledhjet e grupit parlamentar bëhen bashkë me aleatët. Ne nuk mund të bëjmë publik një draft të reformës zgjedhore, derisa nuk pranohemi të bëhemi pjesë dhe të kemi bashkëkryetarit. Ne do të bëhemi pjesë zyrtare e komisionit të reformës zgjedhore në momentin që shkresat zyrtare do të pranohen nga znj.Nikolla dhe z.Bylykbashi do të jetë bashkëkryetar në komision”.



