
Policia e Lezhës vijon operacionin “Eksplozivi”, duke e çuar në dy numrin e të arrestuarve.
Në pranga ka rënë 21-vjeçari Angli Stafuka, nga Fushë Kruja, pasi akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. P. (i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”, në dhjetor 2020), më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.



