PS dhe LSI janë së bashku në një aleancë strategjike, e cila ka synim qeverisjen e vendit dhe realizimin e refrmave, pavarësisht vështirësive. Kështu e ka komentuar zëvendëskryeministri Niko Peleshi klimën mes dy partive të mëdha të së majtës qeverisëse pas përplasjeve të ditëve të fundit, që kulmuan me shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Mirëkuptojmë dhe nuk është në dorën tonë që partitë në koalicion të kenë qasjet e tyre taktike, por kjo nuk ndryshon qasjen tonë strategjike të koalicionit në bashkëqeverisje. Kështu është sot dhe kështu do jetë dhe nesër. Le ta dëgjojë dhe komuniteti, populli, por dhe partitë tona aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin në ritmin e padevijuar të reformave që nuk janë të thjeshta dhe kërkojnë punë të palodhur, të cilat kërkojnë angazhim dhe nuk na lënë kohë të lirë për taktika, nuk do ndryshojë”, tha Peleshi.



