
Në shtetin fqinj, Itali, janë vaksinuar këtë mëngjes tre personat e parë me vaksinën Pfizer BioNTech.
Bëhet fjalë për tre punonjës të personelit shëndetësor, Profesoreshë Maria Rosaria Capobianchi, infermierja Claudia Alivernini si edhe një punonjës i shëndetit shoqëror Omar Altobelli.
Të tre këta persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës rreth orës 07:20 të mëngjesit të sotëm, në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive Sapllanzani, në Romë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shpërndarja e vaksinave në Itali do të fillojë nga 28 dhjetori dhe çdo javë në shtetin fqinj do të hyjnë 470 mijë doza të Pfizer.
"Unë jam e vetëdijshme se sot është një ditë e rëndësishme dhe vendimtare. Shkenca dhe mjekësia janë të vetmet gjëra që do të na lejojnë ta mundim këtë virus. E them këtë me zemër, vaksinohuni ”, tha infermierja.
"Ndihem mirë. Zgjedhja ishte një zgjedhje mjaft e natyrshme. Unë ofrova të vaksinohesha dhe u zgjodha ndër të parët,si një simbol për të thënë se besoj në këtë zgjedhje. Unë mendoj se është një shembull për profesionistë të tjerë të shëndetit, por edhe për e gjithë popullatën", është shprehur Capobianchi, drejtoreshë e laboratorit të virologjisë së Spallanzani, e vaksinuar për herë të parë në Itali.
Profesoreshë Capobianchi mori pjesë në diagnostikimin e infeksionit të parë Covid-19.
"Ne duhet t'i besojmë shkencës, nuk mund të dalim. Zgjedhjet e bëra peshohen dhe bëhen në bazë të vlerësimeve shkencore" është shprehur ajo.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte është shprehur se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për vendin, pasi vetëm nëpërmjet vaksinimit mund ta mposhtim Covid-19.
"Kjo datë do të mbetet me ne përgjithmonë. Ne fillojmë me punëtorët shëndetësorë dhe grupet më të prekshme dhe më pas shtrijmë në të gjithë popullatën mundësinë e marrjes së imunitetit dhe mposhtjen përfundimtare të këtij virusi" ka shkruar kryeministri Giuseppe Conte në Twitter në Ditën e Vakinës, në Itali dhe Europë.



