Në mesditën e pesë muajve më parë, më 12 shtator 2023, Spartak Braho u paraqit në Prokurorinë e Posaçme. Prania e tij ngjalli interesin e medias, ndërsa vetë Braho zgjodhi të përgjigjet me mister, duke thënë se ishte për çështje profesionale.
Pesë muaj pas kësaj vizite në SPAK dhe deklaratës së Brahos se ai ishte për punë profesionale emisioni “FactCheck” zbardh dosjen dhe arsyen përse “Baba Taku” ishte në Prokurorinë e Posaçme.
Teksa interesi mbeti i lartë nëse “Baba Taku” do kishte hapur apo jo çantën e zezë në SPAK, sipas dosjes së siguruar nga FactCheck rezulton se Braho është pyetur si person që ka dijeni për rrethanat e një afere korrupsioni në drejtorinë e burgjeve në kohën që ajo drejtohej nga Agim Ismaili.
Por çfarë e lidh Brahon?
Referuar materialit emri i tij ka dalë nga hetimet që SPAK ka bërë ndaj dy personave të dyshuar dhe arrestuar përkatësisht shtetasve Agron Balla dhe Klodian Gjeci.
Më datë 7 Qershor 2023, SPAK nëpërmjet kësaj deklarate njoftoi publikun se “Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, janë krijuar dyshime se shtetasit K.Gj dhe A.B, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të padrejta, në formën e shumave monetare, me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Shumat monetare janë kërkuar dhe janë marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një shtetasi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.
Arrestimi i Klodian Gjecit rezulton se është arsye e pranisë së Brahos në SPAK. Gjeci deri në momentin e arrestimit ka qenë pjesë e Parlamentit si staf shofer, ndërsa ka qenë më herët edhe shofer i ish-deputetit Braho.
Në ekzaminimin që SPAK ka bërë në telefonin e shtetasit Agron Balla ka rezultuar se numri telefonit me të cilin ai komunikonte për të punësuar dikë kundrejt 3000 eurove në burgje e kishte shënuar me Klodi i Takut.
Në pikën gjashtë të dosjes thuhet “Është kryer këqyrja e aparatit të telefonit celular të shtetasit Agron Balla, në të cilin është konstatuar se ka pasur komunikime me personin me numrin e telefonit 0676308111, regjistruar me emrin "Klodi Takut", i identifikuar me emrin Klodian Gjeçi. Në këtë aparat telefoni celular është gjetur një mesazh i datës 02.06.2020, drejtuar shtetasit Klodian Gjeçi, me përmbajtjen: "Në rregull muhabeti vetëm ta çoj aty ku ka qen ke salla e kamerave eshte vendi bosh". Ndërsa në datën 07.07.2020 i ka dërguar mesazhin me përmbajtjen "Klodi leje fare atë muhabet ktheja ato qe more mos e bo se nuk e duroj mo".
Hetimet e SPAK për këtë dosje kanë përfunduar ndërsa dy të dyshuarit Balla dhe Gjeci aktualisht ndodhen me masën e sigurisë arrest në shtëpi. Afera e korrupsionit nuk u finalizua ndërsa ishte hetimi i kontrollit të brendshëm në burgje që zbuloi se si ishte tentuar të punësohej një person i cili kishte në CV e tij një dënim, çka edhe e penalizoi dhe skualifikoi nga konkurrimi.



