
Ish-deputeti socialist i Durrësit Jurgis Çyrbja i cili pak ditë më parë dorëzoi mandatin e të zgjedhurit, është arrestuar pasditen e sotme e urdhër të Prokurorisë së Posaçme, teksa po udhëtonte me makinën e tij.
Arrestimi i tij vjen pasi SPAK e mori të pandehur, ndërkohë që mësohet se ka pasur arrestime të tjera në Durrës. Çyrbja dyshohet se ka pasur lidhje me një grup kriminal në Durrës. Në orët e vona të së dielës Çyrbja u transferua drejt Drejtorisë së Policisë Tiranë, ndërkohë që me urdhër të SPAK vijojnë kontrollet në Shijak.
Më 9 tetor Çyrbja la mandatin nën argumentin e problemeve shëndetësore, pak ditë pasi ishte thirrur në SPAK, ndërsa po kjo prokurori disa ditë më vonë i komunikoi marrjen si të pandehur.
SPAK njofton se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit arrest në burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Çyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.



