
Kryeministri Edi Rama gjatë dëshmisë në komisionin hetimor për inceneratorët deklaroi se nuk ka shanse të lëvrohen fonde pa një vendim të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë që deputeti Belind Këlliçi i kujtoi kryeministrit se Veliaj nuk e ka sjellë ende në komision vendimin e këshillit bashkiak, Rama u përgjigj se “po mirë t’i thyejmë notën në sjellje, por jo të themi ka nxjerrë para”.
DISKUTIME
Rama: Është vendimi i qeverisë që ka angazhuar fondet, jo shkresa e Erion Veliajt. Ju nuk duhet të më thoni se ku shkojnë lekët, por kur lekët shkokan gjithandej ky pastrimi si ndodh me frymën e shenjtë?! Ka dashur Zoti i madh edhe ka thënë hajde se po përvesh mëngët dhe po u pastroj lekët shqiptarëve. Këto fabrika përpunimi që janë sa një mal erdhën te pema e Vitit të Ri dhe i shpëtuan asaj djegies suaj të pemës! Më thoni kush e pastron Tiranën? Është më e pastër nga ç’ka qenë ndonjëherë tjetër Tirana. Nuk ka shans të lëvrohen para pa vendim të Këshillit Bashkiak, se nuk të del nga thesari. Unë me një firmë timen të them kaq para për foltoren, do ma japi mua thesari, apo do thotë ca është kjo shkresë, kjo është nul.
Këlliçi: A ka mundësi të kuptoni që kryetari i bashkisë ende nuk e ka sjellë vendimin e Këshillit Bashkiak?
Rama: Po mirë t’i thyejmë notën në sjellje, por jo të më thoni që ka nxjerrë para.
Këlliçi: Kjo notë në sjellje shoqërohet me faturë 90 milionë euro.
Rama: Në këtë moment që flasim shifra është 36.2.



