Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka organizuar në Uashington Forumin e Sigurisë në bashkëpunim me kongresmenë amerikanë.
Në një intervistë për MCN TV, ai u shpreh se Shqipëria duhet të ndërtojë një dimension në NATO në rajonin e Ballkanit.
Kjo është një traditë e krijuar që në vitin 2017. Këtë radhë kishim një diskutim mbi investimet në fushën e mbrojtjes në kuadër të vendimeve të Samitit të Hagës, ku thuhet se janë 5% që duhen realizuar, 3.5% për qëllime ushtarake, të tjerat për qëllime infrastrukturore e teknologjike . Shqipëria duhet të ketë një filozofi të saj në fushën e mbrojtjes. Ku është interesi i Shqipërisë? Shqipëria duhet të ndërtojë një dimension në NATO në rajonin e Ballkanit.
Iniciativa e vendeve balltike është një iniciativë që vlen. Shqipëria duhet të bëhet pjesë e iniciativave të tjera si ajo e Tre Deteve dhe së bashku me vende të tjera të NATO-s të shikojnë si mund ta lidhim infrastrukturën e Ballkanit me infrastrukturën e mbrojtjes së vendeve të tjera europiane.
Mediu theksoi se momenti më i rëndësishëm i këtij forumi ishte kërkesa që Kosova të nisë procesin e anëtarësimit në NATO.
Arritja më e madhe për mua ka qenë kërkesa e kongresmenit Keith Self që Kosova duhet të fillojë procesin e anëtarësimit në NATO. Kjo erdhi pas një bisede që ne bëmë në zyrën e tij duke kërkuar një mbështetje maksimale në raport me Kosovën. Ishte një kërkesë edhe e autoriteteve të Kosovës dhe diasporës. Aty kishim dy përfaqësues të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj. Ishin në të njëjtën linjë dhe ishte një mbështetje e përgjithshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO sa i përket sigurisë së rajonit.
Mediu shtoi se rritja e bashkëpunimit rajonal merr rëndësi të veçanë në konteksin e zhvillimeve në Europë.
Vendet e NATO-s do të rrisin shpenzimet në 5%. Nuk është çështja sa para shpenzon. Çështja është çfarë nivelesh operacionale ndërton. Në këtë pikëpamje është shumë herë më mirë që të ketë bashkëpunim me vendet e Ballkanit. Sepse kërcënimet vijnë nga Rusia.



