Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Mbledhja ka nisur me votimin e vendimit që Presidentit të Republikës t'i lihet një afat për tu paraqitur në komision. Metës i është dhënë afat nga nesër deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë.
Kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta, Alket Hyseni, tha në nisje të seancës që Meta nuk do të jetë i pranishëm. Ai propozoi që Metës ti lihet një hapësirë zgjedhje, mes ditëve nga e nesërmja deri të hënën për tu paraqitur në Komision.
„Dëgjesa nuk do bëhet sot, për të mundësuar dëgjesën, në funksion të veprimtarisë së këtij komisioni, me qëllim për të dëgjura dhe palën tjetër e cila është pala nën hetim sipas kushtetues. Si detyrim, për ta thirrur dhe dëgjuar presidentin, për të shprehur qëndrimine tij, do të propozoja që ti nisim një shkresë që sot ku do ti komunikojmë se ne jemi gati për ta dëgjuar që nga dita e nesërme deri të hënën, të zgjedhë ditën dhe orën, për ti hequr cdo alibi kujdo. Jeni dakord? Deri ditën e hënë.. sa i bie data? Ky afat ka lidhje dhe me afatin e veprimtarisë së Kuvendit”

Nga ana tjetër, anëtari i komisionit Spartak Braho, reagoi ndaj letrës së Presidencës, ku ndër të tjera, thoshte se Parlamenti nuk është legjitim. Braho theksoi, se nëse Parlamenti nuk njihet, atëhere kjo sipas tij, mund të konsiderohet si një puç.
“Nëse Presidenti nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, është puç, nuk është Republikë Parlamentare”, tha Braho.



