
Në përfundim të seancës së sotme parlamentare kryeministri Edi Rama ka folur për gazetarët i cili teksa ka anashkaluar shpesh herë pyetjet lidhur me përjashtimin e Berishës nga Grupi i PD, ka theksuar se Partia Socialiste është e ardhmja dhe se nuk ka për qëllim të ndalojë për të parë pas të shkuarën.
Teksa u pyet se Basha ‘vrau babain e tij politik’, Rama tha se PS mori një mandat të tretë për të çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, ndërsa nuk përjashtoi edhe dorën e shtrirë për një bashkëpunim me opozitën.
Ndalova në radhë të parë për t’ju uruar të gjithëve një punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtor të publikut në këtë shesh këtu në hyrje të parlamentit. Unë do të angazhohem personalisht dhe PS do të bëjë përpjekjet që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale.
Për sfidat e përbashkëta që ka vendi, për ëndrrat dhe shpresat e tyre, sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në këto vite duke u bërë një pronë e politikanëve, të cilët e kanë abuzuar vijimisht për qëllime, interesa për ambicie që mund të jenë edhe të natyrshme, por që nuk janë kurrë të mjaftueshme për tu ngritur mbi hallet dhe shpresat e njerëzve.
Ne vimë në këtë Kuvend me dorën e shtrirë për bashkëpunim për të bashkëpunuar me opozitën. Duhet të kuptoni sa e madhe është sfida jonë dhe PS e ka të pamundur të bëj nga lart poshtë siç po ndodh në këto momente mes nesh sepse humb horizontin. Ne jemi lart dhe s’mund të ulim kokën poshtë dhe të shohim çfarë po ndodh nga pas. E shkuara nuk është halli i PS, ajo mbetet në të shkuarën ne jemi e ardhmja.



