Plani i administratës Trump për një lloj Riviere të Lindjes së Mesme në Gaza, e ndërtuar duke zhvendosur popullsinë palestineze, paralajmëron një "të ardhme të papranueshme dhe të çoroditur".
Ky është mendimi i arkitektit nën hetim Stefano Boeri, projektuesi i “Pyllit Vertikal” dhe kompleksit me dy kulla në Milano, që përfshin bimësi të vendosur vertikalisht dhe thuhet se ka frymëzuar projektin amerikan të pas luftës në Gaza. Diçka të tillë e tregon fakti që në planin për Gazën, përfshihet edhe një foto e veprës së famshme të arkitektit Boeri.
Kur u intervistua nga ANSA, Boeri, shpjegoi kundërshtimin e tij ndaj projektit, duke e quajtur Planin e Rivierës për Gazën "një projeksion të tmerrshëm dhe të dhunshëm të një të ardhmeje të papranueshme dhe të çoroditur, e cila supozon deportimin dhe diasporën e detyruar të mijëra familjeve që tashmë janë të ekspozuara ndaj një kërcënimi të vazhdueshëm vdekjeje".
Boeri nuk gjen asnjë ngjashmëri mes dy projekteve, duke u shprehur se plani i tij ka qenë "prototipi i një arkitekture që promovon harmoninë me natyrën dhe historinë e vendeve dhe që vitet e fundit i ka treguar botës aftësinë e saj për të akomoduar jo vetëm strehim për të pasurit, por edhe strehim social me qira, hapësira publike dhe shërbime shëndetësore".
Një hetim i nisur prej tre vitesh në Itali që lidhet me planifikimin urban në qytetin e Milanos, ka sjellë vendosjen e masave të sigurisë për disa zyrtarë, sipërmarrës dhe arkitektë. Mes personazheve nën hetim është edhe arkitekti i njohur Stefano Boeri, një emër që ka qenë prezent me projekte edhe në Shqipëri.



