
Avokati Ermal Hamataj, deklaratat e Kryeministrit Edi Rama pas 24 urdhër arresteve të SPAK në Universitetin gjyqësor, i sheh si të pavenda ndërsa shprehet se as kreu i qeverisë dhe as ai i opozitës nuk e duan SPAK.
Ai thotë se është njësoj si të arrestohet dikush për vjedhje dhe pasi të lihet në arrest me burg, të dalë lagja dhe të thotë lirojeni se është burrë i mirë.
Ç’punë ka Kryeministri me vendimet e gjykatave? Nëse e ka mirë rektori dhe zoti Rama, i bie që ka gabuar drejtësia.
Por ne drejtësinë e kemi me 3-4 shkallë, le t’ia lëmë në dorë. Se nëse pas çdo shkalle do bëjmë dëgjesë pas dëgjese, kjo nuk është drejtësia e re.
Kur afron burgu te dera e shtëpisë së politikanëve, dalin politikanët dhe iu qajnë hallin njerëzve.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se nuk mund të thuhet ka gabuar apo jo gjykata e shkallës së parë me masat e sigurimit, pasi nëse ka gabuar është Gjykata e Apelit dhe nëse gabon Apeli është Gjykata e Lartë.
Politikanët, aq më shumë Kryeministri, nuk duhet të bëhen pjesë e kësaj meseleje.
Rama thoshte “Nuk komentoj vendimet e gjykatave”. Nëse deri dje thoshte kështu se burgun e bënte populli, kjo ka qenë farsë, ndërsa tani që e bëjnë politikanët ndryshon.
Fatkeqësia e madhe është se na qenka grup i strukturuar. Si është kjo të mos e mbyllim Universitetin dhe të lëmë ata që kanë vjedhur të vjedhin akoma.
Kur vete në gjykatë apo prokurori çështja, nuk mendojnë më se kush do të japë mësim aty.
Është më e keqja që janë kaq shumë masa, se i bie janë grup i strukturuar dhe vetëm për këtë arsye Rama nuk duhet të bëhej pjesë e kësaj meseleje.
Drejtësinë e bëjnë gjykatat dhe prokuroria, zoti Rama dhe parlamenti janë aty për t’iu lehtësuar punën gjyqësorit dhe prokurorisë me ligjet që ndryshojnë.
Nuk bën Kryeministri drejtësi, në bazë të ligjeve dhe Kodeve që parlamenti miraton, kjo është puna e Kryeministrit dhe parlamentit.
Mirë apo keq drejtësia e vendosin shkallët e gjyqësorit. As Berisha dhe as Rama nuk e duan SPAK, por për mua i rrezikshëm është Kryeministri se Kryeministri ka në dorë, ndërsa Berisha jo.
Këta që e ngritën këtë SPAK për interesa të qytetarit ta lënë të veprojnë, nëse tani po ju dhemb se po iu vete burgu te dera e shtëpisë, ta durojnë dhe këta.
Nga ana tjetër brenda SPAK nuk ka paaftësi, por pamundësi.



