
Disa nga sëmundjet kronike më të zakonshme janë edhe sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, të cilat prekin nga 20 deri në 50% të njerëzve në mbarë botën.
Edhe pse fazat e hershme të sëmundjes së mishrave të dhëmbëve, gingiviti, janë të shërueshme dhe të kthyeshme, disa njerëz zhvillojnë një formë kronike dhe të pakthyeshme të sëmundjes, periodontit, e cila gjithashtu mund të çojë në humbjen e dhëmbëve.
Megjithatë, ka prova kërkimore që tregojnë se sëmundja e mishrave të dhëmbëve rrit shanset për probleme të tjera shëndetësore, të cilat nuk lidhen domosdoshmërisht me higjienën orale.
Christine Bryson, Lektore e Lartë në Shkencat Mjekësore, në Anglia Ruskin University rendit katër sëmundjet më të zakonshme që lidhen me shëndetin e mishrave të dhëmbëve.
Sëmundja e Alzheimerit- Disa studime të mëdha dhe meta-analiza bien dakord se sëmundja e moderuar ose e rëndë e mishrave të dhëmbëve lidhet ndjeshëm me problemet mendore. Në veçanti, një studim tregoi se vuajtja nga sëmundja kronike e mishrave të dhëmbëve për dhjetë ose më shumë vjet ishte e lidhur me një rrezik 70% më të lartë të zhvillimit të sëmundjes së Alzheimerit në krahasim me ata që nuk vuanin. Për më tepër, hulumtimi ka vërtetuar lidhjen midis sëmundjes së mishrave të dhëmbëve dhe një reduktimi gjashtëfish të aftësisë njohëse.
Në fillim u mendua se bakteret ishin drejtpërdrejt përgjegjëse për këtë lidhje. Bakteri P. gingivalis, i zakonshëm në sëmundjet kronike të mishrave të dhëmbëve, u gjet në trurin e njerëzve që kishin vdekur nga sëmundja e Alzheimerit. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse bakteret në tru, një përgjigje imune e ndryshuar ose faktorë të tjerë, si dëmtimi nga inflamacioni sistemik, shpjegojnë këtë lidhje.
Sëmundje kardiovaskulare- Në një studim ku u përfshinë mbi 1600 njerëz mbi moshën 60 vjeç, sëmundja e mishrave të dhëmbëve lidhej me një rrezik gati 30% më të lartë të një ataku në zemër. Studimet kanë treguar gjithashtu se inflamacioni sistemik, i shkaktuar nga sëmundja kronike e mishrave të dhëmbëve, bën që qelizat burimore të trupit të prodhojnë një grup neutrofilësh tepër reaktiv, një lloj qelize të bardhë të gjakut. Këto qeliza mund të dëmtojnë murin e arterieve, duke shkatërruar qelizat që rreshtojnë arteriet, duke shkaktuar krijimin e pllakave.
Diabeti i tipit 2- Marrëdhënia midis diabetit të tipit 2 dhe sëmundjes së mishrave të dhëmbëve duket se është e ndërthurur. Për shembull, diabeti i tipit 2 rrit rrezikun e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve duke rritur inflamacionin në mishrat e dhëmbëve. Megjithatë, sëmundja e mishrave të dhëmbëve kontribuon në sinjalizimin e dëmtuar të insulinës dhe rezistencën ndaj insulinës, gjë që mund të përkeqësojë diabetin e tipit 2.
Kanceri- Ata pacientë që raportuan një histori mjekësore, rezultuan se kishin një rrezik 43% më të madh të kancerit të ezofagut dhe një rrezik 52% më të madh të kancerit të stomakut. Studime të tjera raportuan gjithashtu se njerëzit me sëmundje kronike të mishrave të dhëmbëve kishin një rrezik 14-20% më të lartë për të zhvilluar çdo lloj kanceri. I njëjti studim zbuloi një rrezik 54% më të lartë të kancerit të pankreasit.



