Gazetari Xhevair Zhabina në ‘MCN Live’ ka komentuar lidhur me arrestimin e mjekut kardiolog Dervish Hasi i cili ka shfrytëzuar për prostitucion vajzën e mitur për dy vite me radhë.
Ai tha se shfrytëzimi i të miturës ka ndodhur prej dy vitesh, ndërsa bën me dije se 42-vjeçari ishte një person me shumë dritëhije i përfshirë në grupe kriminale dhe se gjatë kësaj periudhë ka qenë në përgjim nga policia.
Sipas tij, vajza shkonte me dëshirë në shtëpinë e mjekut, por fakt mbetet që ajo ishte një e mitur dhe mund të jetë manipuluar.
Mjeku kardiokirurg Dervish Hasi është një personazh me shumë dritëhije. Në 2019 i është vënë një sasi tritoli në makinë ku ka shpërthyer pa pasoja por ka qenë një mesazh për të në njëfarë mënyre. Emri i tij del dhe në një operacion ku u godit baza armatimi në kryeqytet ku ishin rreth 18 baza dhe emri i tij ka dalë nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili ka deklaruar se ka qenë mjeku pjesë e grupit kriminal dhe ka ndihmuar në shitjen dhe modifikimin e armëve që përdoreshin për grupet kriminale.
Në dijeninë time gjatë kësaj periudhe ai ka qenë në përgjim nga policia për shkak të dyshimeve dhe përfshirjes që ai kishte dhe në rrjetën e përgjimeve ka rënë dhe ky detaj që kishte të bënte me shfrytëzimin e vajzës 14 vjeç e cila sot është 16 vjeçe. Policia është duke verifikuar se çfarë roli kanë pasur dhe familjarët e vajzës nëse kanë qenë në dijeni dhe nëse kanë marrë masa dhe ajo që del deri tani është se ata s’kanë lëvizur asnjë gisht për ta bërë publike këtë.
Fakti që kemi të bëjmë me një 14 vjeçare që nuk mendon me mendjen e saj kështu që kjo e bën me faj mjekun por jemi në fazën paraprake të kësaj ngjarje dhe duhet parë roli i gjithsecilit. Fakt është se vajza 14 vjeçare është shfrytëzuar për prostitucion, por jemi në fillim dhe ndoshta shumë gjëra nuk gjykohen nga policia dhe prokuroria dhe shumë mirë që ndodh kështu sepse efektet që janë mbi vajzën 16 vjeçare janë mjaft të rënda.
I pyetur se si dënohen këto raste për abuzime, Zhabina tha se duhet të jemi pak korrekt te vepra penale që është ngritur e cila është shfrytëzim prostitucioni dhe se sipas tij s’kemi abuzim seksual apo dhunë.
Vajza shkonte me dëshirë në shtëpinë e mjekut sipas burimeve, por mjekun e bën me faj fakti që ai mund ta ketë manipuluar duke i premtuar se do e bënte gruan e tij të katër dhe pse kanë pasur vetëm dy vite që takoheshin dhe vajza ishte vetëm 14 vjeçe. Fakt është se policia i ka sekuestruar dhe telefonin mjekut ku janë gjetur dhe videot erotike jo vetëm me vajzën por dhe me gratë e tjera që ai ka në shtëpi. Mjeku mund të fshihet pas pretendimeve se vajza ka ardhur me dëshirën e saj në shtëpi por ai nuk duhet të harrojë se ajo ka qenë e mitur.
Më tej ai shtoi se këto janë raste që dënimi shkon nga 7-15 vite ndërsa theksoi se ne jemi vetëm në fillim të hetimit.
Vepra penale është shfrytëzimi i prostitucionit, por jam i bindur se dhe e kaluara e mjekut do të kalojë në sitën e policisë dhe fakti që ka qenë i përfshirë në grupe kriminale. Ai ka qenë person në hetim edhe pse s’kemi një akuzë bëjnë që ai të jetë dyshues. Është e çuditshme që një mjeku ti vendoset tritol dhe motivet të mbeten mister. Nuk di shkakun e vendosjes së këtij tritoli. Hetimi 2021 kur i penduari nxori emrin e mjekut për rolin e tij në këtë grup bëri që të ngrihen dhe dyshime për pasurinë e tij por jemi dy vite pas tij dhe akoma nuk jemi në gjendje të dimë se deri në çfarë niveli ka qenë i përfshirë mjeku në këtë histori.
Aktualisht jemi para faktit që vajza është shfrytëzuar pavarësisht se sipas deklarimeve ajo mund të ketë shkuar me dëshirë, por ajo është e mitur kështu që përgjegjësitë në këtë rast bien mbi mjekun në fazën hetimore ku jemi. Por interesante mbeten dëshmitë e grave të tjera në shtëpi dhe familjarët e vajzës të cilët mund të bëhen me faj nëse e kanë ditur që vajza e tyre 14 vjeçare është në lidhje me një 40 vjeçar. Prandaj duhet të presim dhe brenda 1 jave prokuroria mund ti japë drejtim kësaj çështje. Nuk ka shumë vështirësi hetimore kjo çështje, e gjithë ngjarja zhvillohet këtu dhe shpresoj në një përgjigje të shpejtë.



